Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Është në nderin e KiE-së të nisin bisedimet për anëtarësimin, po kalon kohë e s’po mbahen premtimet


Gjatë Konferencës për mediet pas takimit me përfaqësuesin e Lartë të BE-së Josep Borrell, kryeministri Edi Rama tha se një nga pikat që ata u ndalën është çështja e hapjes formale të bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Rama tha se është në nderin e Këshillit Europian që bisedimet të nisin sa më parë se po kalon shumë kohë duke bërë premtime e duke mos i mbajtur ato. Ai tha se presidenca franceze mund ta realizojë këtë në muajin Qershor, por nuk u shpreh shumë i bindur duke shtuar se edhe nëse nuk ndodh, “këtu jemi”, shqiptarët do vijojnë të presin.

“Folëm për çështjen e bisedimeve. Kjo është çështje e KE-së dhe BE-së. KE e ka thënë në mënyrë të përsëritur që Shqipëria duhe të ulet në bisedime.

Por Këshilli Europian nuk ka mundur ta bëjë këtë për shkak të një bllokimi të Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria. Kjo nuk është diçka që ne e kemi në dorë dhe ne jemi menjëherë të gatshëm të ulemi në tryezën e bisedimeve për anëtarësim sapo të hapet drita jeshile, por nuk do ta humbasim asnjë minutë nga ai pak gjumë që flemë që kjo të ndodhë sepse ndërkohë do të vazhdojmë të bëjmë punën njësoj sikur të ishin hapur bisedimet.

Kështu që i takon Këshillit Europian, sa më parë ta bëjnë aq më në nderin e tyre është sepse po kalon shumë kohë duke premtuar e duke mos mbajtur premtimet. Por ne e kuptojmë se kjo tanimë nuk është çështja e vullnetit të përbashkët të Këshillit Europian sepse të gjitha vendet janë tanimë të gatshme që t’i hapin këto bisedime. Është çështje e një bllokimi mes dy vendeve të tjera. Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Presidenca franceze mund ta bëjë këtë në Qershor, do ishte mirë ta bënte por edhe nëse kjo nuk ndodh, ne këtu jemi prap dhe presim që kjo të ndodhë. Por nuk presim asnjë sekondë për të vazhduar të njëjtat punë që kemi bërë e duhet të bëjmë dhe na afrojnë me standardet më të fundit që na bashkojnë me Bashkimin Europian.”– janë fjalët e Ramës.