
Mbështetja financiare për fermerët përmes Skemës Kombëtare 2025 arrin në 6.4 miliardë lekë, pas shtimit të 2 miliardë lekëve të tjera me aktin normativ të fundvitit. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, i cili theksoi se fondi është rritur me 20.8% krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas ministrit, ky financim synon të ulë kostot e prodhimit dhe të garantojë vijimësinë e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale “Made in Albania”, duke e kthyer Skemën Kombëtare në një instrument kyç për forcimin e prodhimit vendas dhe zhvillimin e ekonomisë rurale.
Deri më tani, nga skema kanë përfituar rreth 65 mijë fermerë në të gjithë vendin. Prej tyre, 49 800 fermerë janë mbështetur me naftë në masën 100%, një element që, sipas Ministrisë së Bujqësisë, ka ndikuar drejtpërdrejt në lehtësimin e barrës financiare për punimet bujqësore.
Ministri Salla nënvizoi gjithashtu se akti normativ garanton pagesën e plotë për çdo fermer të kualifikuar brenda vitit buxhetor, duke siguruar korrektësi, transparencë dhe zbatim të rregullt të Skemës Kombëtare 2025.