
Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) e ka liruar të hënën Besim Kelmendin nga posti i ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, pas kërkesës së tij me shkrim, vetëm një javë pasi Gjykata Supreme anuloi vendimin për shkarkimin e tij, i cili kishte nxitur polemika dhe kritika të shumta, përcjell REL.
Në një mbledhje të jashtëzakonshme, KPK miratoi kërkesën e Kelmendit me 6 vota pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim. Detyrën e ushtruesit të Kryeprokurorit do ta marrë Agron Qalaj, i cili u ricaktua në këtë post në të njëjtën mbledhje.
Me 5 vota pro dhe 1 kundër, Qalaj u riemërua ushtrues detyre deri në një vendim të radhës të Këshillit Prokurorial.
Sipas raportimit të “Betimi për Drejtësi”, në shkresën drejtuar KPK-së, Kelmendi theksoi se kërkesa për t’u liruar nga detyra ishte “pasqyrim i vullnetit tim për të mbështetur reformën në Sistemin Prokurorial dhe për të kontribuar në përmirësimin e gjendjes së krijuar në Këshill”.
Ai nënvizoi se vendimi për t’u larguar nga kjo detyrë, të cilën e kishte ushtruar që nga prilli i vitit 2022, erdhi pas zhvillimeve gjyqësore dhe situatës së krijuar në Këshillin Prokurorial.
Kërkesa e Kelmendit u paraqit vetëm pesë ditë pasi Gjykata Supreme anuloi vendimin e KPK-së për shkarkimin e tij, duke e cilësuar atë si të kundërligjshëm, arbitrar dhe të pabazuar.
Kelmendi ishte shkarkuar muajin e kaluar pas raportimeve se ai dyshohej se kishte bashkëpunuar në vitin 1999 me një gjyqtare serbe lidhur me rastin e Masakrës së Reçakut, të cilën ajo e kishte cilësuar si ngjarje të trilluar. Ai i ka mohuar vazhdimisht këto pretendime.
Shkarkimi i tij kishte nxitur reagime nga bashkësia ndërkombëtare dhe debate mbi ligjshmërinë e vendimit, pasi ai ishte votuar nga vetëm pesë anëtarë të KPK-së, ndërsa pjesa tjetër e anëtarëve vlerësuan se nuk kishte kuorum, duke e quajtur vendimin “puç institucional”.
Pas vendimit të Supremes, Kelmendi deklaroi se dëshiron të vazhdojë karrierën e tij si prokuror dhe u zotua se do të punojë me përkushtim për një sistem prokurorial të pavarur, të paanshëm dhe profesional.