
Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DOJ) njoftoi të dielën se ka rikthyer një fotografi ku shfaqet presidenti Donald Trump në publikimin më të fundit të dokumenteve që lidhen me Jeffrey Epstein, pasi një verifikim zyrtar konstatoi se në imazh nuk paraqiten viktima të Epstein, përcjell Fox News.
Në një postim në rrjetin social X, DOJ bëri të ditur se fotografia ishte hequr përkohësisht “nga një masë paraprake kujdesi”, pasi Prokuroria Federale e Distriktit Jugor të Nju Jorkut e kishte sinjalizuar për një rishikim shtesë, me qëllim mbrojtjen e mundshme të viktimave.
“Pas rishikimit, u konstatua se nuk ka asnjë provë që në fotografi të shfaqen viktima të Epstein dhe ajo është ripublikuar pa asnjë ndryshim apo censurë,” thuhet në deklaratën e Departamentit të Drejtësisë.
Zëvendësprokurori i Përgjithshëm, Todd Blanche, deklaroi më herët të dielën në emisionin “Meet the Press” të NBC se heqja e përkohshme e fotos “nuk kishte asnjë lidhje me presidentin Trump”, por ishte bërë për shkak të shqetësimeve lidhur me gratë e paraqitura në imazh.
Sqarimi erdhi pasi u raportua se të paktën 16 dokumente ishin zhdukur nga faqja publike e DOJ-së për dosjet Epstein, më pak se 24 orë pas publikimit të tyre të premten, pa njoftim apo shpjegim fillestar. Sipas Associated Press, mes dokumenteve të hequra ishte edhe një dosje që përmbante fotografi të ekspozuara në një dollap dhe brenda një sirtari, ku shfaqej Donald Trump së bashku me Melania Trump, Jeffrey Epstein dhe Ghislaine Maxwell.
Të shtunën, demokratët në Komitetin e Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve kritikuan heqjen e fotos, duke kërkuar transparencë. “Kjo foto nga dosjet Epstein, ku përfshihet Donald Trump, duket se është hequr nga publikimi i DOJ-së. A është e vërtetë kjo? Çfarë tjetër po fshihet? Publiku amerikan ka nevojë për transparencë,” shkruan ata në X.
Departamenti i Drejtësisë publikoi mijëra faqe dokumentesh më 19 dhjetor, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Transparencën e Dosjeve Epstein, i nënshkruar nga presidenti Trump më 19 nëntor 2025. Ligji detyronte Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi të publikonte brenda 30 ditësh të gjitha dokumentet e paklasifikuara, komunikimet dhe materialet hetimore që lidhen me Jeffrey Epstein.
Dokumentet lidhen me çështjet e trafikimit seksual të Epstein dhe bashkëpunëtores së tij, Ghislaine Maxwell, dhe janë publikuar në përputhje me afatin ligjor të përcaktuar nga akti i miratuar.