Vendosni fjalën kyçe....

Alarm për rritjen e flotës “hije”, anijet që shmangin sanksionet po shtohen


Përdorimi i të ashtuquajturës “flotë hije”, që shërben për shmangien e sanksioneve perëndimore nga Rusia, Irani dhe Venezuela, po rritet me ritme alarmante, duke ngritur shqetësime serioze për përshkallëzim tensionesh dhe rrezik për përballje ushtarake, paralajmërojnë ekspertët e sigurisë dhe transportit detar.

Sipas vlerësimeve të fundit, flota e cisternave të vjetra të naftës, me pronësi të paqartë dhe nën flamuj të dyshimtë, është zgjeruar ndjeshëm pas nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainës në vitin 2022.

Në shkallë globale, kjo flotë vlerësohet tashmë në rreth 900 deri në 1.200 anije, që transportojnë naftë drejt tregjeve si Kina dhe India, duke anashkaluar kufizimet ndërkombëtare.

Situata është komplikuar më tej nga fakti se Rusia ka nisur të vendosë flamurin e saj shtetëror mbi disa prej këtyre cisternave, një veprim i konsideruar si sfidë e hapur ndaj Evropës.

Paralelisht, përpjekjet për të ndaluar aktivitetin e flotës hije janë bërë gjithnjë e më agresive, duke rritur rrezikun e incidenteve serioze në det.

Së fundmi, forcat speciale amerikane ndërhynë për të ndaluar cisterna pranë Venezuelës, përfshirë një anije të sanksionuar që dyshohet se transportonte naftë për llogari të Gardës Revolucionare Iraniane, përcjell The Guardian.

Vetëm pak ditë më pas, një tjetër anije tregtare u ndalua në ujëra ndërkombëtare, edhe pse nuk rezultonte zyrtarisht në listën e sanksioneve.

Ndërkohë, edhe vendet evropiane kanë ndërmarrë hapa konkretë. Franca dhe Estonia kanë ndaluar më herët anije të dyshuara si pjesë e flotës hije ruse, ndërsa Ukraina ka kryer sulme me dronë ajrorë dhe detarë ndaj cisternave që, sipas Kievit, përfshihen në shmangien e sanksioneve.

Një nga rastet më të bujshme ishte goditja e një cisternë ruse në ujëra neutrale pranë Libisë, një operacion që autoritetet ukrainase e cilësuan si të paprecedentë.

Ekspertët paralajmërojnë se këto zhvillime po e çojnë situatën drejt një pike të rrezikshme. Sipas studiuesve të sigurisë, Rusia tashmë e sheh flotën hije si një aset strategjik dhe është e gatshme të përdorë mjete ushtarake për ta mbrojtur.

Një incident i tillë u shënua në maj, kur një përpjekje e marinës estoneze për të ndaluar një cisternë në Gjirin e Finlandës u shoqërua me hyrjen e një avioni luftarak rus në hapësirën ajrore estoneze.

Përveç rolit ekonomik në financimin e luftës në Ukrainë, flota hije shihet gjithnjë e më shumë si kërcënim për sigurinë evropiane. Anije të lidhura me këtë rrjet janë përmendur në incidente që përfshijnë ndërprerje kabllosh nënujore, veprime zbulimi pranë infrastrukturës kritike dhe aktivitete të dyshimta ushtarake.

Pavarësisht retorikës më të ashpër dhe diskutimeve për masa më të forta, analistët theksojnë se Evropa mbetet e kujdesshme për të mos u përfshirë në një përplasje të drejtpërdrejtë detare me Rusinë.

Ndryshe nga rastet pranë Venezuelës, ku rreziku i reagimit është i kufizuar, çdo ndërhyrje ndaj cisternave ruse në ujërat evropiane mund të sjellë pasoja të paparashikueshme.

Ndërkohë, tregtia e naftës që shmang sanksionet vijon të mbetet tërheqëse për pronarët e anijeve, për shkak të fitimeve të larta. Nafta e sanksionuar shitet me çmime më të ulëta, ndërsa transportuesit përfitojnë tarifa më të larta për të marrë përsipër rrezikun.

Për sa kohë këto stimuj ekonomikë mbeten më të fortë se frika nga ndëshkimi, ekspertët vlerësojnë se flota hije do të vazhdojë të zgjerohet, pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare për ta frenuar.