
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ndalur turin e “Foltores” në Kurbin, ku gjatë fjalës së tij u ndal te zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe pasuria e saj, të cilën e cilësoi si “marramendëse”.
Berisha deklaroi se, sipas tij, publiku ende nuk ka parë gjithçka nga pasuritë e Ballukut dhe të personave të lidhur me të.
“Sot, me këto që po dëgjoni, Shqipëria është një në diktaturë. Në dosjen e parë u hetua për një zv.kryeministre dhe në hetimet e para del se ajo dispononte 300 apartamente. Askush nuk e dinte se ajo dispononte aq apartamente. Me taksat tuaja, paratë e shkollave të fëmijëve tuaj, me ilaçet e të sëmurëve tuaj dhe kafshatat tuaja, kishte siguruar për vete 300 apartamente”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se kjo, sipas tij, nuk është lista e plotë e pasurisë.
“Ju garantoj, këtu do të jemi, nuk është lista e plotë. S’keni parë gjë akoma se çfarë fshehin në kutitë dhe kasafortat e luksit dhe superluksit”, deklaroi kreu i PD-së.
Berisha akuzoi gjithashtu Gys Agasin, të cilin e cilësoi si “kriminel” dhe “koordinator të karteleve të drogës”, duke thënë se kishte pasuri luksoze të paprecedentë.
“Kemi dëgjuar për diktatorë, për hajdutë, bizhura dhe diamante, por vetëm për njërin prej tyre, Gys Agasin, një kriminel, kishte në vinotekën e tij shishe vere që s’i ka perandori i Japonisë, 33 mijë euro shishja e verës, të gjitha me paratë tuaja, para të vjedhura”, tha Berisha.
Sipas tij, Agasi ishte njeri i afërt me kryeministrin Edi Rama dhe i përfshirë në organizimin e zgjedhjeve. “Ai i mblidhte Troplinët dhe Çelajt te një lokal te Shkëmbi i Kavajës për zgjedhje. Ishte njeriu më i afërt i Edi Ramës”, shtoi Berisha.
Në vijim, kreu i PD-së përmendi edhe Ballukun, duke deklaruar se ajo disponon dy jahte. “Dy jahte Belinda Balluku, ish-babysitter, që mezi siguronte kafshatat dhe më pas punonjëse në Bashki. Tani me dy jahte”, u shpreh ai.
Në përfundim, Berisha theksoi se vendi ndodhet në një moment kritik, por sipas tij opozita është më e përgatitur se kurrë. “Jemi në kohë kritike, por na ka gjetur më të gatshëm se kurrë”, përfundoi ai.