Vendosni fjalën kyçe....

Rama tryezë me ndërkombëtarët dhe autoritetet publike: Pavarësisht progresit të bërë jemi poshtë


Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Konferencën e VII Kombëtare për të Drejtën e Informimit, një tryezë e përbashkët mes autoriteteve publike, partnerëve europianë, shoqërisë civile dhe organizatave të medias.

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te çështja e transparencës dhe vlerësimet ndërkombëtare për institucionet shqiptare, duke iu referuar raportit të SIGMA, të cilin e cilësoi si një autoritet të pakontestueshëm.

Sipas kryeministrit, në vlerësimin e SIGMA-s, Shqipëria ka një arkitekturë të qëndrueshme në fushën e transparencës, me një vlerësim mbi 8 nga 10 pikë.

Ai theksoi se, pavarësisht progresit të bërë, ka ende hapësirë për përmirësim.

“Dua ta nis duke thënë që i kemi ndarë rolet, roli i një pjese këtu është ta shohin gotën gjysmë bosh, tjetri ku bëj pjesë edhe unë është ta shohim gotën gjysmë plot.

Dua të sjell në vëmendje jo opinionin e qeverisë, por të një autoriteti të pa kontestueshëm nga kapacitet, SIGMA.

Në vlerësimin e SIGMA-ës, që gjykon perfomancën e institucioneve shqiptare me objektivitet të lartë, Shqipëria ka një arkitekturë të qëndrueshme sa i përket transparencës me vlerësim mbi 8 nga 10.

Por nuk jam këtu për të debatuar dhe kundërshtuar ato që u thanë më parë. Ka plot për të dëgjuar dhe për të marrë në konsideratë prej tyre. Pavarësisht progresit të bërë po të shohim më lart, jemi poshtë.

Po të shohim sa poshtë ishim nga ana tjetër jemi shumë më lart. Por kjo e dyta është një burim motivimi për ne që duam të ngremë vendin më lart, e jo argument për ju të gotës gjysmë bosh që e doni vendin më lart sot dhe jo nesër”, tha ai.