Vendosni fjalën kyçe....

Belinda Balluku rikthehet në detyrë, Kushtetuesja pezullon vendimin e GJKKO-së


Gjykata Kushtetuese ka pezulluar vendimin e GJKKO-së, duke i hapur rrugë rikthimit në detyrë të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Vendimi u mor sot me shumicë votash nga anëtarët e Kushtetueses.

Po ashtu, Kushtetuesja ka pranuar kalimin për shqyrtim të ankimit të kryeministrit Edi Rama kundër vendimit të GJKKO-së.

Seanca do të jetë publike dhe është caktuar për datën 22 janar. Votimi i anëtarëve të gjykatës ka qenë 5 pro dhe 3 kundër.

Në njoftimin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese thuhet: “Me shumicë votash, kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike për shkak të interesit të lartë publik që ka kjo çështje dhe thirrjen në cilësinë e subjekteve të interesuara të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Kuvendit të Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës.”

Vendimi i Kushtetueses do të hyjë në fuqi sapo të botohet në Fletoren Zyrtare, moment nga i cili Belinda Balluku do të mund të rikthehet zyrtarisht në detyrë.