Vendosni fjalën kyçe....

Të shtënat në një bar në Afrikën e Jugut, 11 viktima


Të paktën 11 persona, mes tyre edhe një fëmijë trevjeçar, humbën jetën të shtunën si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një bar të paligjshëm në qytetin e Pretorias, në Afrikën e Jugut, bëri të ditur policia lokale.

Autoritetet shtuan se janë vënë në ndjekje të tre personave të dyshuar, ende të paidentifikuar, të cilët dyshohet se janë përfshirë në ngjarje.

Sipas njoftimit zyrtar, edhe 14 persona të tjerë mbetën të plagosur gjatë incidentit të ndodhur në zonën Saulsville.

Policia nuk dha detaje të mëtejshme për vendndodhjen e saktë të të shtënave, duke mos sqaruar nëse ato ndodhën brenda apo jashtë ambienteve të barit ilegal, të njohur lokalisht si “shebeen”.

Shërbimi Policor i Afrikës së Jugut konfirmoi se mes viktimave ndodheshin tre të mitur, konkretisht dy djem të moshës 3 dhe 12 vjeç, si dhe një vajzë 16-vjeçare.

Afrika e Jugut renditet ndër vendet me shkallën më të lartë të vrasjeve në nivel global, me një mesatare prej rreth 60 vrasjesh në ditë, shkruan Reuters.