
Mijëra qytetarë protestuan të mërkurën mbrëma në kryeqytetin bullgar, Sofje, kundër rritjes së ndjeshme të taksave të parashikuara në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Protestuesit formuan një zinxhir njerëzor rreth godinës së parlamentit, me qëllim që të pengonin deputetët të largoheshin, përcjell Euronews.
Protesta u organizua nga koalicioni opozitar “Vazhdojmë Ndryshimin” dhe “Bullgaria Demokratike”, duke mbledhur rreth 20 mijë pjesëmarrës. Demonstrata u zhvillua në një moment të rëndësishëm, teksa vendi po përgatitet të hyjë në Eurozonë në fillim të vitit të ardhshëm.
Autoritetet njoftuan se tre efektivë policie u plagosën gjatë përpjekjeve për të ruajtur rendin, pasi situata u tensionua. U raportuan edhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, me disa protestues që tentuan të thyenin kordonin e sigurisë dhe hodhën kapsolla e shishe qelqi drejt tyre.
Në një moment, protestuesit provuan të përmbysnin një furgon të policisë, por u zmbrapsën nga njësitë e xhandarmërisë. Gjithashtu, disa automjete zyrtare të deputetëve u qëlluan me mjete të forta.
Protesta nisi në orën 18:00 me orën lokale, fillimisht përpara Kuvendit, dhe pak më vonë demonstruesit rrethuan të gjithë ndërtesën duke bllokuar daljet, në përpjekje për të mos lejuar deputetët që po shqyrtonin buxhetin 2026 të largoheshin.
Disa pjesëmarrës akuzuan policinë se hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Pakënaqësia e gjerë lidhet me rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe dyfishimin e taksës mbi dividentin, masa që sipas qytetarëve dhe sipërmarrjes do të rëndojnë ndjeshëm ekonominë. Edhe ekonomistët kanë paralajmëruar se projektbuxheti mbart rreziqe serioze.
Megjithë kundërshtimin e fortë, pritet që buxheti të miratohet, pasi koalicioni qeverisës ka shumicë të rehatshme në parlament. Buxheti i ri parashikon shpenzime rekord, afro 46% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, të cilat do të mbulohen kryesisht nga rritja e taksave dhe nga një rritje e ndjeshme e borxhit publik.