
Arben Ahmetaj ka reaguar sot pas lajmeve se Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar një kërkesë të re për ekstradimin e tij.
Përmes një postimi, ish-zv.kryeministri i cilësoi këto informacione lajm të rremë, duke sqaruar disa pika që, sipas tij, hedhin poshtë pretendimet e publikuara.
Ahmetaj thekson se kërkesa për ekstradim është dërguar prej më shumë se dy vitesh dhe sipas ligjit nuk mund të bëhen kërkesa të tjera.
“Kërkesa për ekstradim ka mbi dy vjet që është bërë, me urgjencë në 18 gusht të vitit 2023. Ligji e përcakton që bëhet vetëm një kërkesë. Dhe sikur të kishte, do të ishte në vazhdën e tymnajës…”, shkruan ai.
Sa i përket të ashtuquajturës “pseudo-transfertë”, Ahmetaj thotë se ajo po hetohet prej më shumë se një viti dhe se nuk ekziston asnjë pagesë midis tij dhe kujtdo tjetër.
“Prokurori e di mirë që nuk ka asnjë transfertë midis meje dhe kujtdo tjetër, e aq më tepër biznesmenëve apo biznesmenit në fjalë. Le të ngelet si sfidë! Shumë shpejt ‘përkthehet’ letër-porosia,” u shpreh ai.
Sipas Ahmetajt, qëllimi i “zhurmës së iniciuar nga regjimi” është të largojë vëmendjen nga çështje shumë më të rënda.
“E thjeshtë fare! Të hiqet vëmendja nga mega-skandalet e fundit dhe nga bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës,” shtoi ai.
Ai njoftoi se më shumë detaje do të publikohen në vijim.
Postimi:
Një qëndrim përsa i përket lajmit të sotëm të rremë që Ministria e Drejtësisë paska dorëzuar një kërkesë të re për ekstradim, dua të sqaroj sa vijon:
- Kërkesa për ekstradim ka mbi dy vjet që është bërë me urgjencë në 18 Gusht të vitit 2023. Ligji e përcakton që bëhet vetëm një kërkesë. Dhe sikur të kishte do të ishte në vazhdën e tymnajës…
- Pseudo-transferta ka mbi një vit që hetohet dhe prokurori e di mirë që nuk ka asnjë transfertë midis meje dhe kujtdo tjetër, e aq më tepër biznesmenëve apo biznesmenit në fjalë. Le të ngelet si sfidë!!! Shume shpejt “përkthehet” letër-porosia.
- Pse bëhet zhurma e iniciuar me qëllim nga regjimi??? E thjeshtë fare! Të hiqet vëmendja nga mega skandalet e fundit dhe nga bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës.
- Më shumë detaje, në vijim….