
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për Deutsche Welle, ku ka folur për rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, raportet me Kosovën dhe qëndrimet ndaj Serbisë.
Rama u shpreh se Shqipëria synon të përmbushë të gjitha detyrimet e procesit të integrimit deri në vitin 2027, për t’i dhënë mundësi Komisionit Europian të rekomandojë anëtarësimin deri në vitin 2030.
“Kemi një kalendar shumë ambicioz për të përmbushur të gjitha detyrat brenda vitit 2027. Pastaj kemi parashikuar një tjetër dyvjeçar për ratifikimin në të gjitha vendet anëtare. Kështu kemi 2030-ën si datë realiste për anëtarësim,” – tha Rama.
Sa i përket mundësisë që Shqipëria të anëtarësohet e vetme në BE, Rama u shpreh se kjo nuk varet nga vullneti i Tiranës, por nga zhvillimet rajonale dhe vendimet e vendeve anëtare.
“Nuk është në dorën tonë. Ne jemi në pararojë bashkë me Malin e Zi, ndërsa vendet e tjera të rajonit kanë çështje të brendshme që duhen zgjidhur,” – theksoi ai.
Në lidhje me Kosovën, kryeministri shqiptar theksoi se Prishtina duhet të përmbushë në mënyrë të njëanshme të gjitha detyrimet e dialogut me Serbinë, duke “ia lënë topin në derë” Beogradit.
“Kosova duhet të përmbushë në mënyrë unilaterale të gjitha kërkesat e dialogut dhe t’ia lërë topin në derë Serbisë. Duhet të shkëputet totalisht nga Serbia dhe të mos jetojë me idenë e saj,” – u shpreh Rama.
I pyetur për marrëdhëniet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Rama tha se ruan raporte miqësore, por nuk i fsheh dallimet në qëndrime.
“Me Albinin kam marrëdhënie miqësore, por kemi dallime në këndvështrime. Këto i ndajmë hapur, si privatisht, ashtu edhe publikisht,” – tha ai.
Kryeministri foli edhe për bashkëpunimin ekonomik dhe infrastrukturor me Kosovën, duke përmendur projektin e përbashkët të hekurudhës Durrës–Prishtinë.
Në lidhje me rastet e fundit të drejtësisë dhe hetimet ndaj zyrtarëve, mes tyre edhe Belinda Ballukut, Rama u shpreh se nuk komenton çështje që janë në duart e drejtësisë:
“Ne kemi punën tonë, drejtësia ka punën e vet. Deri kur çështjet marrin formë të prerë, të gjithë janë të pafajshëm.”
Në fund, ai vlerësoi marrëdhëniet me Gjermaninë, duke e cilësuar atë si një shtyllë të rëndësishme të BE-së dhe mbështetëse të fortë të Shqipërisë në procesin e integrimit.