Vendosni fjalën kyçe....

Piktura e Picasso-s e mbajtur në koleksion privat shitet për 31 milionë dollarë


Një pikturë nga artisti spanjoll Pablo Picasso, që besohet se portretizon muzën dhe partneren e tij Dora Maar, u shit për 27 milionë euro në një ankand në Paris të premten.

Vepra, e titulluar “Busti i një Gruaje me Kapele me Lule (Dora Maar) 1943”, u ble nga një familje franceze në vitin 1944 dhe mbeti në koleksionin e tyre privat për dekada derisa trashëgimtarët e saj vendosën ta shesin.

Çmimi i shitjes, përfshirë tarifat, ishte 32 milionë euro, tha një zëdhënës i shtëpisë së ankandeve Drouot. Blerësi ishte në sallën e ankandit, por nuk u identifikua.

Kanavaca nuk ishte shfaqur kurrë në publik para ankandit dhe e vetmja provë e ekzistencës së saj kishte qenë një fotografi e pikturës e vitit 1944, thanë ekspertët e artit.

“Është pa dyshim vepra më prekëse e Picassos që përfshin muzën e tij, sepse ai ishte gati ta linte atë (Dora Maar) për (piktoren franceze) Françoise Gilot,” tha drejtuesi i ankandit Christophe Lucien.

“Dhe përmes këtij portreti, shohim një grua që i mban lotët. Pra, është fat për një drejtues ankandi të ketë një pjesë të historisë së artit para syve të tij.”

Ekspertja e artit Agnes Sevestre-Barbe tha se trashëgimtarët vendosën ta ofrojnë pikturën për shitje pasi ajo nuk mund të ndahej fizikisht mes tyre, shkruan Reuters.