Vendosni fjalën kyçe....

Dumani në ‘Ligjet’: Sekuestro rekord prej 65.5 milionë eurosh gjatë vitit 2024, 60% më shumë se një vit më parë


Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, raportoi sot në Komisionin e Ligjeve dhe atë për Nismat Qytetare mbi veprimtarinë e institucionit gjatë vitit 2024.

Në fjalën e tij, Dumani theksoi se SPAK ka ndjekur me prioritet rekomandimet e Bashkimit Europian, rezolutën e Kuvendit dhe orientimet e Këshillit të Ministrave në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Sipas tij, gjatë vitit 2024 janë shënuar rritje të ndjeshme në të gjitha drejtimet e punës së SPAK-ut. Numri i prokurorëve është rritur në 20, ndërsa janë zhvilluar më shumë trajnime ndërkombëtare dhe janë shtuar me 8% çështjet në hetim.

Dumani nënvizoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të hetimeve financiare, duke kujtuar se në nëntor të vitit 2024 u miratua udhëzimi për masat administrative dhe procedurat e hetimeve pasurore e financiare, të cilat zhvillohen paralelisht me hetimet penale.

“Gjatë vitit 2024 janë sekuestruar 65.5 milionë euro, një rritje me 60% krahasuar me vitin 2023, që përfshijnë pasuri të paluajtshme, llogari bankare dhe kriptovaluta,” deklaroi Dumani para deputetëve.

Kreu i SPAK-ut theksoi se objektivi kryesor i institucionit mbetet ndjekja e pasurisë së paligjshme dhe forcimi i hetimeve financiare si instrument kryesor në goditjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet e larta të administratës publike.

Altin Dumani: Gjatë vitit 2024 SPAK ka patur ndjekjen e rekomandimeve të BE, rezolutës së Kuvendit dhe rekomandimeve prioritare të Këshillit të Ministrave në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit.

Numri i prokurorëve u rrit në 20, u rritën dhe trajnimet ndërkombëtare. U rritën me 8% çështjet në hetim. Në nëntor 2024 u miratua udhëzimi për masat administrative dhe procedura për kryerjen e hetimit pasuror dhe financiar, që i zhvillon paralelisht me hetimin penal. Gjatë vitit 2024, janë sekuestruar 65.5 milionë euro, një rritje me 60% krahasuar me 2023, duke përfshirë pasuri të paluajtshme, bankare dhe kriptovaluta.