Vendosni fjalën kyçe....

Zjarr në rafinerinë e naftës në Chevron pranë Los Angeles


Një zjarr shpërtheu mbrëmjen e kaluar në një rafineri nafte Chevron, pak jashtë Los Angeles, duke ngritur flakë gjigante në ajër që u panë nga kilometra larg.

Zyrtarët në El Segundo të Kalifornisë u bënë thirrje banorëve të qëndronin brenda. Deri në orët e para të së premtes, zjarri ishte vënë nën kontroll dhe nuk kishte rrezik për sigurinë publike, tha qyteti në një deklaratë. Nuk pati urdhër evakuimi.

“Të gjitha rrugët janë rihapur pas zjarrit të mbrëmshëm në Chevron”, njoftoi qyteti i El Segundos këtë mëngjes. “Zjarri është ende duke u djegur, por është nën kontroll.”

Monitorët e cilësisë së ajrit nuk treguan shqetësime për ndotjen në mëngjesin e së premtes, megjithatë Distrikti i Menaxhimit të Cilësisë së Ajrit në Bregun Jugor bëri të ditur se gjatë natës u zbuluan nivele të larta të përbërjeve organike të paqëndrueshme në rafineri dhe pranë komunitetit, shkruan AP.

Nuk pati të lënduar në rafineri dhe i gjithë personeli u gjet, tha kompania në një deklaratë të enjten vonë, duke shtuar se një sistem monitorimi tregoi se zjarri nuk u zhvendos përtej vijës së gardhit të objektit. Deklarata nuk tha se çfarë e shkaktoi zjarrin.