
Greenpeace publikoi të martën një studim ku thekson se importet evropiane të gazit të lëngshëm natyror (LNG) nga Rusia kanë gjeneruar rreth 8.1 miliardë euro të ardhura tatimore për Kremlinin midis viteve 2022 dhe 2024, përcjell Euronews.
Pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska, BE ndaloi gazin përmes tubacioneve, por furnizimet me LNG vijuan, duke arritur 12.8 miliardë metra kub vetëm në gjysmën e parë të vitit 2025, një rritje prej 67% krahasuar me katër vite më parë.
Sipas raportit, të ardhurat nga Yamal LNG, eksportuesi kryesor rus drejt Evropës dhe Azisë, do t’i mjaftonin Rusisë për të blerë 9.4 milionë predha artilerie 152 mm, 270 mijë dronë sulmues Shahed ose 2,658 tanke luftarake.
Në periudhën 2022-2024, Yamal LNG ka përfituar rreth 34 miliardë euro nga kontratat me kompani evropiane të energjisë si TotalEnergies, Engie, Shell, Naturgy dhe SEFE.
Raporti tregon se Franca, Gjermania, Holanda, Spanja, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar ishin ndër përfituesit kryesorë të LNG rus, me kontrata që shtrihen deri në vitet 2038 dhe 2041.
Megjithatë, BE ka vendosur të heqë dorë nga importet e LNG rus deri në vitin 2027, vendim që rrezikon të përplaset me padi ligjore nga Gazprom.
Belgjika, Franca dhe Spanja ishin importuesit kryesorë të LNG rus gjatë viteve 2022 – qershor 2025, me portin belg Zeebrugge që shërbeu si nyja më e madhe hyrëse në BE.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë rritur ndjeshëm furnizimet: vetëm në gjysmën e parë të 2025, Uashingtoni eksportoi 52.7 miliardë metra kub LNG drejt BE-së.
Kjo pritet të rritet më tej pas marrëveshjes tregtare ku BE është e detyruar të blejë rreth 213 miliardë euro produkte energjie çdo vit nga SHBA, përfshirë LNG.
Raporti i Greenpeace paralajmëron: “Që Evropa të shpëtojë nga kurthi i LNG dhe të rrisë pavarësinë e saj nga Trump dhe Putin, duhet t’i japë fund përdorimit të gazit fosil dhe të kalojë plotësisht në një sistem energjie të bazuar në burime të rinovueshme vendase.”