
Një tjetër rast mashtrimi është zbuluar në kryeqytet, ku administratori i një agjencie turistike ka përfunduar në pranga, ndërsa bashkëshortja e tij është proceduar penalisht. Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Rezervimi”, pas disa javësh hetimesh në bashkëpunim me Prokurorinë.
Në njoftimin zyrtar thuhet se:
“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas administrimit të kallëzimeve nga disa qytetarë, kanë kryer hetime dhe kanë ndaluar shtetasin Ardi Gjuzi, 63 vjeç, administrator i një agjencie turistike në Tiranë. Gjithashtu, është proceduar penalisht bashkëshortja e tij, E. Gj., 51 vjeçe, e cila punonte si punonjëse në të njëjtën agjenci.”
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se çifti ka mashtruar klientët duke iu marrë shuma të konsiderueshme parash – rreth 17,000 euro – me premtimin për rezervim biletash dhe akomodimi, të cilat në realitet nuk janë kryer.
“Ata kanë përfituar shuma parash përmes mashtrimit dhe nuk kanë realizuar rezervimet e premtuara”, thuhet në deklaratën e policisë.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Fshehja e të ardhurave”.