Vendosni fjalën kyçe....

Rama denoncon gjyqtarin: Kërkon kthimin në detyrë të një drejtuesi të kapur në shkelje të ligjit


Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj një vendimi gjyqësor, duke akuzuar gjyqtarin Marko Boshku se ka urdhëruar rikthimin në detyrë të një drejtuesi rajonal të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i cili ishte pushuar pasi u kap duke ndërtuar pa leje në Ksamil dhe për mashtrim me dokumente legalizimi.

“Një tjetër sport tradicional i gjykatësve pa flamur e pa atdhe të Drejtësisë së Vjetër fatkeqësisht vazhdon të ushtrohet edhe nga gjykatës më të rinj… Pa asnjë gajle fare, gjykatësi Boshku ka vendosur të kthejë fishek në detyrë një shkelës brutal të ligjit dhe mashtrues të kapur me presh në duar”, shkruan Rama.

Sipas kreut të qeverisë, drejtuesi i AMP-së së Vlorës ishte përfshirë në një ndërtim pa leje dhe kishte paraqitur dokumente të rreme për ta legalizuar, duke pretenduar se objekti ishte ndërtuar në vitin 2018. Fotot satelitore, sipas Ramës, provuan se ndërtimi ishte pas vitit 2020, gjë që çoi në largimin e tij nga detyra dhe kallëzimin penal në Prokurorinë e Sarandës.

“Ndërkohë që shteti, përmes Policisë, kërkon ndëshkimin ligjor të birbos, drejtësia në Tiranë, përmes gjykatësit Boshku, kërkon nga shteti të rimarrë birbon në krahët e vet. Madje ta përqafojë dhe ta ulë përsëri në karrigen e drejtorit!”, thekson Rama.

Kryeministri shtoi se Ministria e Drejtësisë do ta referojë çështjen në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, ndërsa u bëri thirrje gjyqtarëve që “përdorin pavarësinë si pavarësi nga drejtësia” se do të përballen me përgjegjësinë e veprimeve të tyre.

“Mesazhi im është ky: Kush tallet me interesat e shtetit dhe përqesh ligjin, duke dhënë vendime haptazi të paligjshme në dëm të interesit publik, do të përballet me keqbërjen e vet, jo vetëm në organet e vetëqeverisjes së gjyqësorit, por edhe në sytë e opinionit publik”, përfundon Rama.