
Pronësia e ardhshme e perandorisë mediatike Murdoch është zgjidhur më në fund.
Rupert Murdoch dhe djali i tij Lachlan kanë arritur një marrëveshje me fëmijët e tjerë të patriarkut që zgjidh mosmarrëveshjen e hidhur ligjore se kush do e kontrollojë perandorinë mediatike Murdoch pas vdekjes së manjatit 94-vjeçar.
Në një marrëveshje të njoftuar të hënën, familja ra dakord që Lachlan do mbante kontrollin mbi perandorinë mediatike pas vdekjes së të atit Rupert dhe për dekadat që do të vijnë. Tre vëllezërit e motrat më të mëdhenj të Lachlan “do pushojnë së qeni përfitues në çdo trust që mban aksione” në kompaninë mëmë të Fox News, Fox Corporation, ose kompaninë motër News Corp.
Kontrolli mbi kompaninë do ishte ndarë midis katër vëllezërve dhe motrave pas vdekjes së babait të tyre sipas trustit në fuqi. Rupert dhe Lachlan kishin kërkuar të ndryshonin fondin e trustit për të siguruar që Lachlan, i cili shërben si drejtor ekzekutiv i Fox Corp, të mos mbetej në krye të kompanisë. Tre nga vëllezërit dhe motrat e Lachlan – Prudence MacLeod, Elisabeth Murdoch dhe James Murdoch – kishin protestuar me forcë, dhe beteja ligjore u zhvillua në një gjykatë të Nevadës.
Vëllezërit dhe motrat do kompensohen pjesërisht nga shitja e 14.2 milion aksioneve të News Corp Class B dhe 16.9 milion aksioneve të Fox Corp Class B.
Vlera e marrëveshjes është 3.3 miliardë dollarë, sipas një personi të njohur me marrëveshjen që foli në kushte anonimiteti. Kjo shifër ndahet në mënyrë të barabartë midis Prudence, Elisabeth dhe James, duke i dhënë secilit nga 1.1 miliardë dollarë, tha burimi. (Fëmijët më të vegjël të Rupert Murdoch, Grace dhe Chloe, do jenë pjesë e një fondi të ri.)
Fondi do zgjasë deri në vitin 2050. Deri në atë kohë, Lachlan do kontrollojë entitetin, me Rupert Murdoch që do të mbetet si kryetar nderi i kompanisë.
Rupert dhe Lachlan, të cilët janë të lidhur ideologjikisht, kishin ndërmarrë hapa për të ndryshuar trustin që kontrollonte kompaninë nga shqetësimi se vëllezërit e motrat e Lachlan mund ta çonin kompaninë, përfshirë edhe xhevahirin e kurorës, Fox News, në një drejtim tjetër politik. Zgjidhja e pengon këtë mundësi.
Në fund të vitit të kaluar, një komisioner i trashëgimisë në Nevada hodhi poshtë ofertën e Rupert dhe Lachlan për të ndryshuar kushtet e trustit. Ky rekomandim u apelua dhe procesi – i cili është mbajetur larg syve të publikut – është zvarritur.
“Bordi i drejtorëve të News Corp mirëpret këto zhvillime dhe beson se udhëheqja, vizioni dhe menaxhimi nga Kryetari i Kompanisë, Lachlan Murdoch, do vijojnë të jenë të rëndësishëm për të udhëhequr strategjinë dhe suksesin e Kompanisë”, tha kompania në një deklaratë.
Tensionet familjare, një version i trilluar i të cilave i magjepsi shikuesit e serialit të famshëm të HBO-së “Suçession”, kanë ekzistuar prej vitesh. Marrëveshja zgjidh vite pasigurie mbi trashëgiminë e familjes Murdoch dhe pyetjet rreth drejtimit politik të mediave të perandorisë mediatike.
Ajo gjithashtu u ofron vëllezërve dhe motrave më të mëdhenj të Lachlan një marrëveshje më të mirë financiare sesa Lachlan kishte qenë i gatshëm t’u ofronte atyre në diskutimet e mëparshme të blerjes, sipas dy personave të tjerë të njohur me dinamikën e familjes, të cilët folën në kushte anonimiteti.
Kushtet origjinale të trustit familjar ishin përcaktuar dekada më parë si pjesë e marrëveshjes së divorcit të Rupert Murdoch me gruan e tij të dytë, Anna Mann. Kushtet, të cilat u jepnin kontroll të barabartë fëmijëve të tij, vetëm katër vjeç në atë kohë, lanë të hapur çështjen se kush do e pasonte atë, duke çuar në dekada të tëra përplasjesh familjare dhe tensionesh – megjithëse të gjashtë fëmijët kishin të drejtë për pjesë të barabarta të vlerës së trustit.
Ndërsa mjedisi mediatik u bë më ndëshkues dhe politika amerikane më e polarizuar, ky tension u rrit. Rupert Murdoch fillimisht u përpoq t’i vendoste dy djemtë e tij në krye të perandorisë së tij në një marrëveshje për ndarjen e pushtetit. Por ata nuk u pajtuan për strategjinë dhe drejtimin e kompanisë, dhe Murdoch përfundimisht pranoi t’ia shiste pjesën më të madhe të perandorisë së tij Disney-t në një marrëveshje me vlerë 71.3 miliardë dollarë.
Që atëherë, Lachlan Murdoch ka qenë i vetmi nga fëmijët e Murdoch me një rol ekzekutiv në kompani. Kontrolli i tij mbi këto entitete tani është çimentuar përtej vdekjes përfundimtare të babait të tij.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani