
Rreth 14 persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale janë arrestuar nga policia në një operacion të zhvilluar në Bajzë të Malësisë së Madhe, ku u sekuestruan afro 10 mijë rrënjë kanabis sativa.
Në pranga ranë shtetasit: Elez Çulaj, Muho Çulaj, Fatmir Senaj, Drita Senaj, Rezarta Jacaj, Kujtim Laçaj, Elfajed Halaj, Agron Laçaj, Adrian Çekaj, Gjelin Çekaj, Miranda Çekaj, Pjetër Çekaj, Çun Halaj dhe një 17-vjeçar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për shkak të moshës.
Sasia e madhe e bimëve narkotike ishte mbjellë pjesërisht në një mjedis të hapur dhe pjesërisht në një serë pranë zonës ku u zhvillua operacioni. Policia njofton se vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Ky është rasti i tretë i goditur në Malësinë e Madhe vetëm gjatë ditëve të fundit. Më herët, janë sekuestruar mbi 2 mijë rrënjë kanabis në një rast dhe afro 5 mijë në një tjetër.
Autoritetet e rendit theksojnë se operacionet kundër kultivimit të lëndëve narkotike do të vijojnë me intensitet në gjithë qarkun Shkodër.