
I gjithë vendi është përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe stuhi të forta, duke shkaktuar kaos në qarkullim dhe probleme serioze në disa qytete.
Pas temperaturave të larta të gushtit, moti i keq ka sjellë një ndryshim të menjëhershëm të kushteve atmosferike.
Në Tiranë, stuhia ka rrëzuar disa pemë në zona të ndryshme të qytetit, përfshirë zonën pranë Trenit, Shkollës së Bashkuar dhe Oxhakut.
Ndërkohë, banorët raportojnë për vështirësi në lëvizje dhe trafik të rënduar për shkak të rrugëve të bllokuara.
Probleme serioze janë regjistruar edhe në veri të vendit.
Në Lezhë, reshjet e dendura kanë përmbytur disa akse rrugore, ndërsa në zonën turistike të Shëngjinit raportohet ndërprerje e energjisë elektrike.
Situata problematike ka prekur edhe qarkullimin ajror.
Aeroporti i Rinasit ka raportuar vonesa për të paktën 11 fluturime, ndërsa dy linja ajrore, Tiranë-Hamburg dhe Tiranë-Pescara, janë anuluar.
Autoritetet kanë apeluar qytetarët të tregojnë kujdes.
Policia Rrugore i ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve që të shmangin lëvizjen me shpejtësi dhe të udhëtojnë me kujdes në rrugët e përmbytura.
Moti i keq ka prekur edhe zonat bregdetare.
Në Vlorë, stuhia e fortë shoqëruar me erë dhe reshje rëre ka detyruar pushuesit të largohen nga plazhet, ndërsa qarkullimi në disa akse të qytetit është bllokuar për orë të tëra.
Situatë e ngjashme është raportuar edhe në Durrës, ku rrugët e përmbytura kanë shkaktuar kaos në lëvizjen e automjeteve.
Meteorologët parashikojnë që reshjet dhe erërat e forta të vijojnë edhe gjatë orëve në vijim, duke rritur rrezikun për përkeqësimin e situatës në disa zona.