Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata rrëzon padinë e administratës Trump kundër të gjithë gjyqtarëve federalë të Maryland-it


Një gjykatës federal hodhi poshtë të martën padinë e administratës së Donald Trump kundër gjithë trupës gjyqësore federale të Maryland-it, lidhur me një urdhër që ndalonte dëbimin e menjëhershëm të emigrantëve që kishin sfiduar vendimin për deportim.

Gjykatësi i Qarkut të SHBA, Thomas Cullen, e cilësoi kërkesën e qeverisë si të pabazuar, duke theksuar se pranimi i saj “do të binte ndesh me një precedent mbizotërues, do të largohej nga tradita kushtetuese dhe do të cënonte sundimin e ligjit”.

Në vendimin e tij, Cullen shkroi: “Në mençurinë e tyre, hartuesit e Kushtetutës bashkuan tre degë të koordinuara për të ngritur një sovranitet të vetëm. Ky strukturim mund të krijojë përplasje mes degëve dhe ndërhyrje të njërës mbi autoritetin e tjetrës. Por zgjidhja e këtyre përplasjeve duhet të ndodhë në një mënyrë që respekton rolin kushtetues të gjyqësorit”.

Cullen, i emëruar gjykatës federal nga Trump në vitin 2020, u caktua të trajtonte çështjen pasi të gjithë 15 gjyqtarët federalë të Maryland-it ishin paditur — një situatë tepër e pazakontë, që tregon tensionet e thella mes administratës republikane dhe gjyqësorit federal, sipas AP.

Departamenti i Drejtësisë kishte argumentuar se urdhri i nënshkruar nga Kryetari i Gjykatës së Qarkut, George L. Russell III, pengonte zbatimin efektiv të ligjeve të emigracionit.

Urdhri parashikonte që asnjë emigrant që kishte dorëzuar një peticion habeas corpus nuk mund të deportohej përpara orës 16:00 të ditës së dytë të punës pas depozitimit të kërkesës.

Shtetet e Bashkuara janë paditës këtu sepse Shtetet e Bashkuara po dëmtohen”, tha avokatja e Departamentit të Drejtësisë, Elizabeth Themins Hedges, gjatë seancës dëgjimore në gusht.

Nga ana tjetër, avokati Paul Clement, që përfaqësonte gjyqtarët e Maryland-it, e quajti padinë një përpjekje për të kufizuar fuqinë e gjyqësorit mbi çështjet e emigracionit.

Dega ekzekutive kërkon të padisë në emër të Shteteve të Bashkuara një degë bashkë-vlere të qeverisë. Nuk ka asnjë precedent për këtë lloj padie,” tha Clement, duke theksuar se administrata kishte rrugë të tjera ligjore për të sfiduar urdhrin, përfshirë apelimin në një çështje të veçantë.

Në një reagim të mëparshëm, gjyqtari Russell kishte shpjeguar se urdhri i pezullimit të deportimeve kishte për qëllim të “ruajë gjendjen ekzistuese, të garantojë pjesëmarrjen e peticionuesve në seanca dhe aksesin e tyre tek avokatët, si dhe t’i japë qeverisë kohë të mjaftueshme për të paraqitur argumentet e saj”.

Kjo çështje pasoi një sërë përplasje mes administratës Trump dhe gjyqësorit federal lidhur me politikat e emigracionit. Trump, i cili ka kritikuar ashpër gjyqtarët që kanë penguar politikat e tij, madje ka kërkuar edhe shkarkimin e një gjyqtari në Uashington që kishte ndaluar fluturimet me emigrantë të deportuar.

Një prej gjyqtareve të paditura, Paula Xinis, kishte vendosur më herët se administrata kishte deportuar në mënyrë të paligjshme Kilmar Abrego Garcian drejt El Salvadorit, një rast që u bë simbol i debatit mbi masat e ashpra të emigracionit. Garcia pretendon se është rrahur dhe torturuar në një burg famëkeq në vendin e tij pas kthimit.

Mesazhet për komente nga Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Drejtësisë nuk janë kthyer ende.