Vendosni fjalën kyçe....

Zjarret shkatërruese përfshijnë Ballkanin dhe Greqinë, situata e rënduar në Kosovë dhe Maqedoni



Zjarret masive vazhdojnë të përfshijnë rajonin e Ballkanit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Greqi.

Në Kosovë, Agjencia e Menaxhimit Emergjent njofton për 38 vatra zjarri, prej të cilave 24 mbeten aktive, ndërsa 14 janë lokalizuar. Situata më e rënduar raportohet në fshatin Kçiq të Mitrovicës, ku janë djegur edhe disa shtëpi banimi. Temperatura mbi 30 gradë Celsius po përkeqëson gjendjen, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka rekomanduar masat mbrojtëse ndaj nxehtësisë për punëtorët në institucionet publike dhe private.

Në Maqedoninë e Veriut, aktualisht janë tre zjarre, dy prej të cilave janë aktive në komunat e Makedonski Brodit dhe Strumicës, ndërsa një zjarr është vënë nën kontroll në komunën e Resnjës. Gjendja e emergjencës vazhdon në gjithë vendin për të lehtësuar menaxhimin e situatës.

Ndërkohë, Greqia përballet me zjarre të mëdha në zonën e Petralonës, në periferi të Athinës, ku 92 zjarrfikës, vullnetarë dhe automjete po luftojnë flakët, me mbështetjen nga ajri të avionëve dhe helikopterëve. Një tjetër vatër aktive është edhe në zonën e Megali Volvit të Selanikut. Zona të vështira për aksesim po pengojnë operacionet në terren, por deri tani nuk ka raportime për viktima.

Situata mbetet alarmante, ndërsa autoritetet po vazhdojnë punën për shuarjen e zjarreve dhe parandalimin e përhapjes së tyre.