
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka mirëpritur një deklaratë të përbashkët nga aleatët evropianë që thekson rëndësinë që Ukraina të jetë pjesë e çdo marrëveshjeje paqeje me Rusinë, para samitit të planifikuar mes Donald Trump dhe Vladimir Putin, përcjell Guardian.
Në këtë deklaratë, udhëheqësit e Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Italisë, Gjermanisë, Polonisë dhe Finlandës, së bashku me presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, nënvizuan se “rruga për paqe në Ukrainë nuk mund të vendoset pa Ukrainën”.
Takimi mes presidentëve amerikan dhe rus do të mbahet në Alaskë këtë të premte. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se Trump është i hapur për përfshirjen e Zelenskyy-t në bisedime, megjithatë samiti mbetet aktualisht bilateral.
Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe diplomati kryesor i BE-së Kaja Kallas theksuan gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së Ukrainës dhe BE-së në çdo marrëveshje, duke paralajmëruar se çdo negociatë duhet të ndodhë në kuadër të një armëpushimi ose reduktimi të dhunës.
Ndërkohë, luftime dhe sulme me dron vazhduan në Ukrainë, duke shkaktuar viktima nga të dyja palët.
Në një postim në X (ish-Twitter), Zelenskyy deklaroi: “Fundi i luftës duhet të jetë i drejtë, dhe jam mirënjohës ndaj të gjithë atyre që qëndrojnë me Ukrainën për paqen që mbron interesat e sigurisë së të gjitha kombeve evropiane”. Ai pohoi se çdo vendim pa Ukrainën është “një vendim i vdekur” që nuk do të funksionojë kurrë.
Në Britani, sekretari i jashtëm David Lammy dhe zv/presidenti amerikan JD Vance zhvilluan takim me partnerë ukrainas dhe evropianë për të diskutuar rrugët drejt paqes në Ukrainë.