
Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 21 vatra zjarri në vend, prej të cilave 7 janë shuar, ndërsa 14 të tjera vijojnë aktive. Forcat zjarrfikëse, policia, ushtria dhe vullnetarë po punojnë në terren, të mbështetur edhe nga ajri me avionë dhe helikopterë.
Situata më problematike paraqitet në qarkun Vlorë, ku flakët në bashkinë Finiq kanë kaluar në fshatin Krane dhe në disa zona të tjera malore. Operacionet janë vështirësuar nga terreni i thyer dhe era e fortë.
Vatra të tjera aktive ndodhen në qarqet Lezhë, Dibër, Berat, Shkodër, Tiranë, Durrës dhe Gjirokastër. Në disa prej tyre zjarret janë izoluar dhe po monitorohen, ndërsa në të tjera puna për shuarjen vazhdon me intensitet.
Autoritetet bëjnë apel për kujdes maksimal dhe shmangie të çdo veprimi që mund të shkaktojë zjarre në kushte të temperaturave të larta dhe erës së fortë.