
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar Bashkimin Evropian me vendosjen e tarifave deri në 35% nëse blloku nuk përmbush premtimin për një investim prej 600 miliardë dollarësh, të cilin ai e përshkroi si “një dhuratë”.
“Nëse nuk e japin, do të ketë tarifa. Tarifa 35%,” deklaroi Trump të martën, gjatë një deklarate për mediat.
“Ata ulën tarifat e tyre. Më dhanë 600 miliardë dollarë dhe për këtë arsye unë i zbrita tarifat e tyre nga 30% në 15%.”
“Dhe kjo është një dhuratë. Nuk është hua… më dhanë 600 miliardë dollarë që mund t’i investoj ku të dua,” theksoi ai.
“Qëllimi është i qartë: ata na kanë shfrytëzuar për vite me radhë dhe tani është koha të paguajnë.”
Trump shtoi se paratë do të shfrytëzohen sipas vullnetit të tij: “Detajet janë këto: 600 miliardë dollarë për t’i investuar në çdo gjë që dua, çdo gjë. Mund të bëj çfarë të dua me to.”
Ai kritikoi gjithashtu kryeministren e Zvicrës, duke thënë se “nuk donte të dëgjonte” argumentet e tij për tarifat, sipas The Guardian.
Presidenti amerikan foli edhe për industrinë farmaceutike, duke paralajmëruar tarifa të reja të pavarura nga ato ekzistuese.
“Ata fitojnë një pasuri me farmaceutikët dhe i prodhojnë në Kinë, Irlandë dhe vende të tjera. Do të shpallim tarifa të veçanta për këtë sektor javën tjetër.”
“Fillimisht do të jetë një tarifë e vogël,” tha Trump, “por për një vit, maksimumi një vit e gjysmë, do të shkojë në 150% dhe më pas në 250%, sepse duam që farmaceutikët të prodhohen në vendin tonë.”
Këto komente të forta të presidentit vijnë në një moment të tensionuar të marrëdhënieve tregtare ndërmjet SHBA-së dhe BE-së, ku paralajmërimet për tarifa të reja pritet të shkaktojnë shqetësime të mëdha në tregjet ndërkombëtare dhe në kompanitë evropiane, sidomos ato farmaceutike dhe të luksit.