
Këshilli i Ministrave ka miratuar sot një vendim të rëndësishëm që hap rrugën për ofrimin e kredive të subvencionuara me interes 0%, përmes Entit Kombëtar të Banesave (EKB), në mbështetje të kategorive më të ndjeshme të shoqërisë.
Kush përfiton?
Të drejtë për të përfituar nga kjo skemë kanë:
Familjet që jetojnë me qira në ish-pronë private
Familjet e punonjësve të Policisë së Shtetit të rënë në detyrë
Fëmijët pa kujdes prindëror (jetimët)
Si aplikohet?
Aplikimi kryhet online përmes portalit qeveritar e-Albania, nga kryefamiljari ose kujdestari ligjor. Dokumentacioni përfshin:
Vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme që dëshmon mungesën e pronës në territorin e vendit
Ose vërtetim për një pronë që është nën normat minimale të banimit
Për familjet e efektivëve të rënë në detyrë, dokumentacioni përcillet nga Ministria e Brendshme
Përzgjedhja dhe shqyrtimi i kërkesave
Aplikimet shqyrtohen nga një komision ad hoc brenda Entit Kombëtar të Banesave, i ngritur jo më vonë se 5 ditë nga paraqitja e aplikimeve. Vendimmarrja bëhet brenda 10 ditëve. Në rast refuzimi, aplikuesi ka të drejtë ankese brenda 5 ditëve.
Familjet e miratuara futen në një listë pritjeje pa afat kohor, në pritje të fondeve dhe nënshkrimit të marrëveshjeve me institucionet financiare.
Çfarë përfshin lista e përfituesve?
Të dhëna për përbërjen familjare
Gjendjen sociale dhe të strehimit
Tipin dhe strukturën e apartamentit që përfiton
Kur ndërpritet subvencioni?
Subvencioni i interesit mund të ndërpritet në rastet e:
Moslirimit të banesës së pronarit brenda afatit
Falsifikimit të dokumenteve apo deklarimeve të rreme
Mangësive serioze në dokumentacion
Vdekjes së kryefamiljarit (në rastet e qiramarrjes), ku procedura vijon sipas certifikatës familjare të datës 1 dhjetor 1992
Ky vendim hyn menjëherë në fuqi dhe është publikuar në Fletoren Zyrtare.