
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas njoftimit për mbylljen e hetimeve ndaj tij nga SPAK, duke deklaruar se nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare për t’u paraqitur pranë Prokurorisë së Posaçme.
Meta tha se është njoftuar vetëm verbalisht nga një gardian në burgun “Jordan Misja” rreth orës 08:30 të mëngjesit, ndërkohë që nuk kishte pranë avokatin e tij, i cili ndodhej jashtë vendit. Për këtë arsye, ai nuk është paraqitur në SPAK, por u shpreh i gatshëm për të dalë para drejtësisë sapo avokati të kthehet në Shqipëri.
Në një deklaratë publike, Meta e cilësoi hetimin si një “proces farsë politik”, i nxitur nga Partia Socialiste, dhe u shpreh i bindur për pafajësinë e tij. Ai theksoi se pas gjashtë vitesh hetime, SPAK nuk ka arritur të gjejë asnjë provë, fakt penal apo pasuri të paligjshme që ta implikojë.
“Mezi pres përballjen për të çmontuar këtë farsë,” deklaroi Meta, duke theksuar se ky është një proces që synon goditjen politike dhe jo drejtësinë.