
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka shpallur një procedurë konkurrimi publik për dhënien në përdorim të hapësirave shërbimi në dy prej monumenteve më të rëndësishëm të trashëgimisë shqiptare: Kalanë e Rozafës në Shkodër dhe Kalanë e Lëkurësit në Sarandë. Sipas njoftimit zyrtar, kjo nismë synon “rijetësimin” e këtyre pasurive kulturore.
Subjektet e interesuara ftohen të dorëzojnë dokumentacionin pranë Ministrisë deri më 21 gusht. Megjithatë, në dokumentet e shpallura nuk jepen detaje mbi sipërfaqet që do të jepen në përdorim, format e shfrytëzimit apo garancitë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore që mbartin këto objekte.
Kjo lëvizje ka rikthyer në vëmendje debatet e hershme mbi dhënien me qira të monumenteve të kulturës. Kalaja e Lëkurësit ka qenë më parë nën përdorim privat, dhe një procedurë e ngjashme gjatë vitit 2013, në fund të mandatit të qeverisë Berisha, shkaktoi përplasje politike dhe publike. Partia Socialiste – atëherë në opozitë – kundërshtoi ashpër dhënien me qira të monumenteve, dhe pas ardhjes në pushtet anuloi disa kontrata, përballje që përfunduan në gjykatë.
Pas shpalljes së procedurës së re, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka reaguar ashpër, duke e quajtur nismën “një shaka” dhe duke ngritur shqetësime mbi qëllimin e vërtetë të përdorimit të kalasë së Lëkurësit. “Picerí apo trashëgimi kulturore?”, pyet forumi në një deklaratë publike, ku kujton se dikur ajo ishte parashikuar të shërbente si pikë kulturore, por sot është kthyer në një kompleks restorantesh dhe kafenesash pa funksione kulturore.
Sipas Forumit, Kalaja e Lëkurësit, e ndërtuar mbi rrënojat e një kishe bizantine, ka humbur vlerat historike dhe është shndërruar në simbol të keqmenaxhimit të trashëgimisë.
Edhe Kalaja e Rozafës në Shkodër, një nga monumentet më të rëndësishëm të historisë dhe identitetit shqiptar, është përfshirë në këtë proces. E njohur për legjendën e Rozafës dhe si simbol i sakrificës dhe besës, ajo rrezikon të humbasë rolin e saj kulturor përballë trysnisë së komercializimit.
Përballë mungesës së transparencës dhe kujdesit të qartë për vlerat historike, nisma ka hapur një debat të gjerë publik mbi kufirin mes përdorimit të qëndrueshëm dhe deformimit të trashëgimisë kulturore në emër të zhvillimit ekonomik.