Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Aksion për çlirimin e rrugëve kombëtare nga “rraqe të bizneseve”, afat deri më 31 korrik



Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nisjen e një aksioni të gjerë për pastrimin e hapësirave publike përgjatë rrugëve kombëtare, duke synuar heqjen e materialeve të bizneseve që shkelin distancat e përcaktuara me ligj.

Përmes një postimi në Facebook, Rama deklaroi se ka nisur “përpjekja për çlirimin e buzërrugëve kombëtare nga rraqet e llojllojshme të bizneseve anë rrugës”, duke paralajmëruar masa ndëshkuese për ata që nuk respektojnë afatet dhe udhëzimet.

Sipas tij, të gjitha bizneset që operojnë përgjatë akseve rrugore kanë afat deri më 31 korrik për të larguar çdo lloj materiali që ndodhet më pak se 20 metra nga aksi i rrugës – distanca ligjore e sigurisë e përcaktuar me ligj. Ky urdhër përfshin edhe materialet ndërtimore, inertet, automjetet e amortizuara, si dhe gardhet e përparme të bizneseve, që duhet të tërhiqen sipas projekteve që do të shpërndahen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).

“Mbajtja buzë rrugëve e rraqeve si këto në foto apo të tjera, nga materialet ndërtimore tek inertet dhe makinat e vjetra e me radhë, përtej afatit të paralajmëruar do të shoqërohet me masa të rënda ndëshkimore”, paralajmëroi kryeministri.

Në përfundim të reagimit, Rama theksoi se Shqipëria ndodhet në prag të një etape të re në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe “ushtrimi i aktivitetit ekonomik në dëm të komunitetit, mjedisit dhe sigurisë në rrugët kombëtare duhet të konsiderohet i mbyllur”.