
Të paktën 34 persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë rezultojnë ende të zhdukur pasi një anije turistike u përmbys në Gjirin Ha Long të Vietnamit për shkak të motit të keq. Ngjarja ndodhi gjatë një stuhie të papritur, me reshje të dendura shiu, breshër dhe rrufe, përcjell BBC.
Anija, e quajtur Wonder Seas, po transportonte 53 persona, kryesisht familje vietnameze nga kryeqyteti Hanoi, kur u përfshi nga stuhia të shtunën rreth orës 14:00 me orën lokale. Deri më tani, 11 persona janë shpëtuar gjallë, përfshirë një 14-vjeçar që u gjet pas katër orësh në një xhep ajri brenda trupit të përmbysur të anijes.
Raportohet se të paktën tetë nga viktimat janë fëmijë. Përpjekjet për kërkim-shpëtim vijojnë edhe gjatë natës, pavarësisht motit të keq që po pengon punën e ekipeve të emergjencës.
Kryeministri i Vietnamit, Pham Minh Chinh, ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave dhe ka kërkuar një hetim të plotë për shkaqet e aksidentit, duke paralajmëruar ndëshkime për çdo shkelje të mundshme.
Gjiri Ha Long, një nga destinacionet më të famshme turistike dhe i mbrojtur nga UNESCO, tërhoqi mbi 4 milionë vizitorë në vitin 2019.