Vendosni fjalën kyçe....

Rusia ndërmerr sulm të madh ajror në qytetin ukrainas të Pavlohradit


Rusia ka ndërmarrë sulmin më të madh ndonjëherë ndaj qytetit lindor ukrainas të Pavlohradit në orët e para të së shtunës, si pjesë e një vale të gjerë goditjesh në mbarë vendin, ku janë përdorur qindra dronë kamikazë dhe raketa balistike.

Bombardimi që zgjati gjashtë orë përbën sulmin më të rëndë në historinë e këtij qyteti. Kreu i rajonit të Dnipropetrovskut, Sergey Lysak, tha se një fabrikë është dëmtuar, një stacion zjarri është shkatërruar dhe një ndërtesë banimi pesëkatëshe është goditur.

“Një natë dhe mëngjes ferri për Pavlohrad. Sulmi më intensiv ndaj qytetit. Shpërthim pas shpërthimi. Terroristët rusë e sulmuan me raketa dhe dronë,” deklaroi Lysak.

Dronët dëgjoheshin në fluturim mbi Pavlohrad në orët e para të së shtunës. Të shtënat kundërajrore dhe shpërthime të portokallta ndriçonin qiellin e natës. Rrugët jehonin nga zhurma e mitralozëve teksa njësitë ajrore përpiqeshin t’i rrëzonin, sipas The Guardian.

Në mëngjes, qytetin e mbulonte tym i zi i dendur. Disa zjarre ishin aktivë. Një banor i lodhur, Oleh, e përshkroi natën si më të keqen që kishte përjetuar ndonjëherë: “Askush nuk ka fjetur. Të gjithë ishim në strehimore. Kishim edhe stuhi, përveç shpërthimeve dhe shiut.”

Sulmi ndodhi menjëherë pasi gjenerali Keith Kellogg, i dërguari i posaçëm i Trump-it për Ukrainën, u kthye në Uashington pas një vizite gjashtëditore në Kiev.

Këtë javë, Shtëpia e Bardhë njoftoi një paketë të madhe ndihme ushtarake për Ukrainën, përfshirë sisteme shtesë raketore “Patriot”, që do të financohen nga aleatët evropianë.

Kremlini kishte hezituar të ndërmerrte një bombardim të tillë sa kohë që Kellogg ndodhej në Ukrainë.

Në rrjetet sociale u përhapën meme ku Kellogg paraqitej si një “mace” që mbronte kryeqytetin, pasi fjala “Keith” i ngjan fjalës “kit” (mace) në gjuhën ukrainase.

Të premten, ish-presidenti rus Dmitry Medvedev premtoi se Moska do të intensifikojë sulmet ajrore në përgjigje të paketës më të fundit të sanksioneve nga BE-ja, e cila u miratua pasi qeveria pro-Kremlinit në Sllovaki hoqi kundërshtimet.

Qyteti i Pavlohradit është një qendër strategjike për rajonin e Dnipropetrovskut. Trupat ruse janë afër kapjes së territorit në këtë rajon – i cili kufizohet me provincën e Donetskut – për herë të parë që nga pushtimi i nisur nga Vladimir Putin në vitin 2022. Ditët e fundit, ata kanë marrë nën kontroll disa fshatra përreth.

 

Sulm edhe në Odesa

Në orët e para të së shtunës, forcat ruse goditën gjithashtu portin e Detit të Zi në Odesa, duke shkaktuar zjarr në një ndërtesë banimi nëntëkatëshe, sipas kryebashkiakut të qytetit. Pesë persona u shpëtuan nga kati i sipërm, ndërsa një grua humbi jetën.

Kryetari i bashkisë së Odesës, Hennady Trukhanov, shkroi në Telegram se të paktën 20 dronë ishin përqendruar mbi qytet, një shënjestër e përsëritur e sulmeve ruse.

“Goditja ka dëmtuar struktura civile,” tha Trukhanov.

“Një pallat i lartë është përfshirë nga zjarri. Ekipet e shpëtimit po nxjerrin njerëz nga flakët.”

Kryeministrja e re e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, tha se Moska kishte ndërmarrë një tjetër “sulm brutal” ndaj Odesës dhe qyteteve të tjera.

“Një person i vrarë, disa të tjerë të plagosur, familje të shkatërruara. Kjo është kostoja e hezitimit. Pa një përgjigje të guximshme, sulmet do të përsëriten,” deklaroi ajo.