
Dy vëllezër janë shpallur në kërkim për plagosjen e pasdites së sotme në Sarandë. Ramadan e Erjon Canaj, 43 e 35 vjeç akuzohen për plagosjen e 32-vjeçarit Gëzim Hoxhaj e 24-vjeçarit Ernest Lama, nga Kamza.
Ata u qëlluan pranë stadiumit në Lagjen 4 ndërsa shkaqet e ngjarjes së rëndë nuk dihen ende. Pas ndihmës së parë në spitalin e Sarandës, Hoxhaj e Lama u dërguan me helikopter te spitali i Traumës në Tiranë, pasi gjendja e tyre ishte e rëndë dhe duhej ndihmë e specializuar.
Prandë vendit të ngjarjes policia ka gjetur një çantë brenda së cilës ishte një armë, por nuk dihet ende nëse është arma me të cilën janë qëlluar dy të rinjtë. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur gjithashtu katër gëzhoja pistolete.
Ramadan Canaj ka qenë i dënuar më parë në Greqi për vrasje dhe armëmbajtje pa leje dhe aktualisht është në proces gjyqësor në Sarandë për “goditje për shkak të detyrës”. Vëllai i tij, Erjon Canaj në dhjetor 2022 ka dhunuar rojën e spitalit të Sarandës, ndërsa në shkurt 2024 është arrestuar në banesë me 2 pistoleta, shkruan Shqiptarja.
Njoftimi
“Sot, rreth orës 15:00, në lagjen nr. 4, Sarandë, në rrethana ende të paqarta, dyshohet se janë plagosur me armë zjarri shtetasit G. H., 32 vjeç dhe E. L., 24 vjeç, të cilët pas ndihmës së parë mjekësore në spitalin e Sarandës, do të dërgohen drejt spitalit të Traumës, Tiranë, për mjekim të specializuar. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Sarandë, po vijon punën për identifikimin e autorit, zbardhjen e e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje”.