
Dhjetëra persona vijojnë të jenë të zhdukur në qendër të Teksasit, ndërsa ekipet e shpëtimit janë angazhuar në kërkime të pandërprera pas përmbytjeve të befasishme që kanë marrë jetën e 51 personave, përfshirë 15 fëmijë.
Zona më e goditur është Kerr County, ku 43 viktima janë konfirmuar deri tani dhe ku ende mungojnë 27 fëmijë nga një kamp veror i krishterë përgjatë lumit Guadalupe.
“Puna do të vazhdojë derisa çdo person të gjendet,” tha sherifi i Kerr County, Larry Leitha.
Viktima janë raportuar edhe në zona të tjera të shtetit, përfshirë Travis County dhe Tom Green County, ndërsa paralajmërimet për përmbytje të menjëhershme mbeten në fuqi gjatë fundjavës.
Deri tani, rreth 850 persona janë shpëtuar nga forcat e emergjencës.
Në një konferencë për shtyp të shtunën, guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, deklaroi se kishte nënshkruar një zgjerim të deklaratës së fatkeqësisë për të rritur përpjekjet e kërkimit.
“Ne do të jemi të pamëshirshëm derisa të gjendet çdo person i prekur nga ky tragjedí. Nuk do të ndalemi derisa misioni të përfundojë,” u shpreh ai.
Zyrtarët theksuan se ky mbetet ende një operacion kërkimi dhe shpëtimi dhe jo një operacion rikuperimi.
Ekipet po kontrollojnë përgjatë lumit Guadalupe për të gjetur persona që mund të jenë marrë nga rrjedha e ujit.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se administrata e tij po punon ngushtë me autoritetet lokale për t’iu përgjigjur emergjencës.
Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi se qendra e Teksasit mund të përballet me përmbytje të tjera gjatë fundjavës, me reshje që mund të shkojnë deri në 25 cm në disa zona.
Përpjekjet e shpëtimit janë përqendruar në një kamp veror për vajza, të quajtur Camp Mystic, përgjatë lumit Guadalupe, ku shumë prej 27 vajzave të zhdukura janë nën moshën 12 vjeç.
Fotografitë nga kampi tregojnë dëme të mëdha: dyshekë, batanije, arushë lodër dhe objekte të tjera të mbuluara nga balta. Shumë prej fëmijëve ishin në gjumë kur lumi u rrit me mbi 8 metra brenda më pak se një ore në orët e para të mëngjesit të së premtes.
Në një email dërguar prindërve të rreth 750 fëmijëve në kamp, drejtuesit e Camp Mystic siguruan se të gjithë fëmijët për të cilët nuk janë kontaktuar prindërit janë të sigurt.
Ndërkohë po dalin më shumë detaje për viktimat, disa prej të cilave ishin vetëm 8 vjeç. Mes viktimave janë konfirmuar edhe motrat Blair dhe Brooke Harber, të moshës 13 dhe 11 vjeç.
Një meshë e veçantë do të mbahet të dielën në Kishën Katolike Notre Dame për të nderuar viktimat dhe të zhdukurit.
Shumë pushues që ndodheshin pranë lumit për fundjavën e Ditës së Pavarësisë janë ende të zhdukur. Lorena Guillen, banore e zonës, tregoi se dëgjoi ulërima nga një familje pesë anëtarëshe që po merrej nga ujërat. “Ata po kapeshin pas pemëve për të shpëtuar,” tha ajo për BBC.
“Por ekipet e shpëtimit nuk mund të arrinin tek ata.”