
Pa komandantë, i privuar nga pjesa më e madhe e rrjetit të tuneleve dhe i pasigurt për mbështetjen nga aleati i tij Irani, Hamasi po lufton për të mbijetuar në Gaza përballë klaneve lokale rebele dhe presionit të pamëshirshëm ushtarak izraelit.
Luftëtarët e Hamasit po veprojnë në mënyrë autonome me urdhër për të rezistuar sa më gjatë që të jetë e mundur, por grupi po përpiqet të mbajë kontrollin e tij ndërsa Izraeli mbështet hapur fiset që e kundërshtojnë atë, thanë tre burime pranë Hamasit.
Me një krizë humanitare në Gaza që po rrit presionin ndërkombëtar për një armëpushim, Hamasi ka nevojë të menjëhershme për një ndalim në luftime, tha një nga personat.
Jo vetëm që një armëpushim do t’u ofronte pushim banorëve të lodhur të Gazës, të cilët po bëhen gjithnjë e më kritikë ndaj Hamasit, por gjithashtu do t’i lejonte grupit militant të shtypte elementët kundërshtues, duke përfshirë disa klane dhe grabitës që kanë vjedhur ndihmat, tha personi.
Për t’iu kundërvënë kërcënimit të menjëhershëm, Hamasi ka dërguar disa nga luftëtarët e tij më të rëndësishëm për të vrarë një udhëheqës rebel, Yasser Abu Shabab, por deri tani ai ka mbetur jashtë mundësive të tyre në zonën e Rafahut që kontrollohet nga trupat izraelite, sipas dy burimeve të Hamasit dhe dy burimeve të tjera të njohura me gjendjen në terren.
Reuters foli me 16 burime, përfshirë njerëz pranë Hamasit, burime izraelite të sigurisë dhe diplomatë, të cilët paraqitën një pamje të një grupi shumë të dobësuar, që ruan njëfarë ndikimi dhe kapaciteti operacional në Gaza pavarësisht pengesave të tij, por përballet me sfida të forta.
Hamasi është ende i aftë të japë goditje: vrau shtatë ushtarë izraelitë në një sulm në Gazën jugore të martën. Por tre diplomatë në Lindjen e Mesme thanë se vlerësimet e inteligjencës treguan se kishte humbur komandën dhe kontrollin e tij të centralizuar dhe ishte përqendruar në sulme të kufizuara dhe të papritura.
Një zyrtar ushtarak izraelit vlerësoi se Izraeli kishte vrarë 20,000 ose më shumë luftëtarë të Hamasit dhe kishte shkatërruar ose bërë të papërdorshëm qindra kilometra tunele nën brezin bregdetar. Pjesa më e madhe e Gazës është shndërruar në rrënoja në 20 muaj luftë.
Një burim sigurie izraelite tha se mosha mesatare e luftëtarëve të Hamasit po “ulet çdo ditë”. Burime izraelite të sigurisë thonë se Hamasi po rekruton nga qindra mijëra të rinj të varfër, të papunë dhe të zhvendosur.
Hamasi nuk zbulon se sa nga luftëtarët e tij kanë vdekur.
“Ata po fshihen sepse po goditen menjëherë nga aeroplanët, por shfaqen këtu e atje, duke organizuar radhë para furrave të bukës, duke mbrojtur kamionët e ndihmës ose duke ndëshkuar kriminelët”, tha Essam, 57 vjeç, një punëtor ndërtimi në Qytetin e Gazës.
“Ata nuk janë si para luftës, por ekzistojnë.”
I pyetur për koment për këtë shkrim, zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri, tha se grupi po punonte për një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Izraelin, por “dorëzimi nuk është një mundësi në tryezë”.
Hamasi mbeti i përkushtuar ndaj bisedimeve dhe ishte “gati të lironte të gjithë të burgosurit menjëherë”, tha ai, duke iu referuar pengjeve izraelite, por donte që vrasjet të ndaleshin dhe Izraeli të tërhiqej.

Pamje e zymtë
Hamasi është tashmë hije e grupit që sulmoi Izraelin në vitin 2023, duke vrarë 1,200 njerëz dhe duke marrë peng 253 të tjerë, sipas llogaritjeve izraelite. Sulmi i Izraelit ka vrarë më shumë se 56,000 njerëz, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.
Dëmi i shkaktuar nga Izraeli është ndryshe nga çdo gjë që Hamasi ka pësuar që nga krijimi i tij, me shumicën e komandantëve të tij të lartë ushtarakë në Gaza të vrarë. I themeluar në vitin 1987, Hamasi dalëngadalë e kishte vendosur veten si rivali kryesor i fraksionit Fatah të udhëhequr nga Presidenti Mahmoud Abbas dhe më në fund e mori Gazën nga kontrolli i tij në vitin 2007.
Me një armëpushim të ndërmjetësuar nga SHBA-të në luftën Iran-Izrael, vëmendja është kthyer përsëri në mundësinë e një marrëveshjeje për Gazën që mund t’i japë fund luftës dhe të lirojë pengjet e mbetura.
Një nga njerëzit pranë Hamasit i tha Reuters se do mirëpriste një armëpushim, madje edhe për disa muaj, për t’u përballur me klanet lokale që po fitojnë ndikim.
Por ai tha se kushtet e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për t’i dhënë fund luftës – përfshirë largimin e udhëheqësve të Hamasit nga Gaza – do përbënin një disfatë totale dhe Hamasi nuk do dorëzohej kurrë.
“Ne kemi ende besim, por në terren nuk duket aspak mirë”, tha burimi.
Yezid Sayigh, një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën Carnegie të Lindjes së Mesme në Bejrut, tha se besonte se Hamasi thjesht po përpiqej të mbijetonte. Kjo nuk ishte vetëm një sfidë fizike për t’u përballur ushtarakisht, tha ai, por mbi të gjitha një sfidë politike.
“Ata përballen me eliminimin në terren në Gaza nëse lufta nuk ndalet, por ata gjithashtu përballen me fshirjen nga çdo formulë qeverisëse që i jep fund luftës në Gaza”, shkroi ai në përgjigje të pyetjeve të Reuters.
Fiset palestineze kanë dalë si pjesë e strategjisë së Izraelit për t’iu kundërvënë Hamasit. Netanyahu ka thënë publikisht se Izraeli ka armatosur klanet që kundërshtojnë Hamasin, por nuk ka thënë se cilat.
Një nga sfidat më të spikatura ka ardhur nga Abu Shabab, një beduin palestinez me bazë në zonën e Rafah, e cila është nën kontrollin izraelit.
Hamasi dëshiron që Abu Shabab të kapet, i vdekur ose i gjallë, duke e akuzuar atë për bashkëpunim me Izraelin dhe planifikim sulmesh ndaj grupit islamist, thanë tre burime të Hamasit për Reuters.
Abu Shabab kontrollon Rafahun lindor dhe grupi i tij besohet se ka liri lëvizjeje në zonën më të gjerë të Rafah. Pamjet në faqen e tyre në Facebook tregojnë njerëzit e tyre të armatosur duke organizuar hyrjen e kamionëve me ndihma nga kalimi Kerem Shalom.
Njoftimet nga grupi i tij tregojnë se po përpiqet të ndërtojë një administratë të pavarur në zonë, megjithëse ata mohojnë se po përpiqen të bëhen një autoritet qeverisës. Grupi u ka bërë thirrje njerëzve nga Rafah që tani ndodhen në zona të tjera të Gazës të kthehen në shtëpi, duke premtuar ushqim dhe strehim.
Në përgjigje të pyetjeve të Reuters, grupi i Abu Shabab mohoi të ketë marrë mbështetje nga Izraeli ose kontakte me ushtrinë izraelite, duke e përshkruar veten si një forcë popullore që mbron ndihmën humanitare nga plaçkitjet duke shoqëruar kamionë ndihmash.

Ai akuzoi Hamasin për dhunë dhe për shtypjen e atyre që e kundërshtojnë. Një zyrtar i sigurisë së Hamasit tha se shërbimet palestineze të sigurisë do “godisin me grusht të hekurt për të çrrënjosur bandat e bashkëpunëtorit Yasser Abu Shabab”, duke thënë se ata nuk do tregojnë mëshirë ose ngurrim dhe duke e akuzuar atë se është pjesë e “një përpjekjeje për të krijuar kaos dhe paligjshmëri”.
Megjithatë, jo të gjitha klanet e Gazës janë në kundërshtim me Hamasin.
Të enjten, një aleancë fisnore tha se burrat e saj kishin mbrojtur kamionët e ndihmës nga plaçkitësit në Gazën veriore. Burime pranë Hamasit thanë se grupi kishte miratuar përfshirjen e aleancës.
Izraeli tha se luftëtarët e Hamasit në fakt i kishin sekuestruar kamionët, gjë që si klanet ashtu edhe Hamasi e mohuan.
Pasiguria në Iran
Analisti palestinez Akram Attallah tha se shfaqja e Abu Shabab ishte rezultat i dobësisë së Hamasit, megjithëse ai priste që ai të dështonte në fund sepse palestinezët kundërshtojnë gjerësisht çdo aluzion bashkëpunimi me Izraelin.
Megjithatë, pavarësisht se sa i vogël është grupi i Abu Shabab, fakti që Hamasi ka një armik nga e njëjta kulturë ishte i rrezikshëm, tha ai.
“Ai mbetet një kërcënim derisa të zgjidhet.”
Fushata e bombardimeve të Izraelit kundër Iranit i ka shtuar pasigurive me të cilat përballet Hamasi. Mbështetja e Teheranit për Hamasin luajti një rol të madh në zhvillimin e krahut të tij të armatosur në një forcë të aftë për të qëlluar raketa thellë në Izrael.
Ndërsa si Irani ashtu edhe Izraeli kanë pretenduar fitoren, Netanyahu të dielën tregoi se fushata izraelite kundër Teheranit e kishte forcuar më tej pozicionin e tij në Gaza, duke thënë se kjo do “na ndihmonte të përshpejtonim fitoren tonë dhe lirimin e të gjithë pengjeve tona”.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të mërkurën se po bëhej përparim i madh në Gaza, duke shtuar se sulmi ndaj Iranit do ndihmonte në lirimin e pengjeve.

Një zyrtar palestinez pranë Hamasit tha se grupi po peshonte rrezikun e zvogëlimit të mbështetjes iraniane, duke parashikuar se “ndikimi do jetë në formën e financimit dhe ekspertizën që Irani i dha rezistencës dhe Hamasit”.
Një objektiv i fushatës së Izraelit në Iran ishte një oficer i Gardës Revolucionare i cili mbikëqyrte bashkërendimin me Hamasin. Izraeli tha se Saeed Izadi, vdekja e të cilit u njoftua të shtunën, ishte forca lëvizëse pas boshtit Iran-Hamas.
Hamasi i shprehu ngushëllime Iranit të enjten, duke e quajtur Izadin një mik i cili ishte drejtpërdrejt përgjegjës për lidhjet me “udhëheqjen e rezistencës palestineze”.
Një burim nga një grup i mbështetur nga Irani në rajon tha se Izadi ndihmoi në zhvillimin e aftësive të Hamasit, duke përfshirë mënyrën e kryerjes së sulmeve të ndërlikuara, duke përfshirë lëshimin e raketave, operacionet e infiltrimit dhe dronë.
I pyetur se si fushata izraelite kundër Iranit mund të ndikojë në mbështetjen e tij për Hamasin, Abu Zuhri tha se Irani ishte një vend i madh dhe i fuqishëm që nuk do mposhtej.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani