Vendosni fjalën kyçe....

Si e la Rusia në baltë Iranin pas sulmit të Izraelit dhe SHBA-së


Në fillim të vitit, presidenti rus Putin u takua me homologun e tij iranian në Kremlin për të nënshkruar një partneritet të ri strategjik për të vulosur aleancën në zhvillim e sipër midis dy vendeve që kishin kaluar dekadën e fundit duke u përpjekur të minonin rendin botëror të udhëhequr nga SHBA-të.

Tani, pas më shumë se një jave ndëshkim nga sulmet ajrore izraelite dhe amerikane, ky partneritet pak po e ndihmon Teheranin.

Kur Putin u takua me diplomatin më të lartë të Iranit, Abbas Araghchi, të hënën, udhëheqësi i Kremlinit kritikoi ashpër sulmet amerikane. Ai i quajti ato të pajustifikuara dhe të paprovokuara dhe tha se Rusia donte të ndihmonte popullin iranian.

Por udhëheqësi i Kremlinit nuk përmendi mbështetjen ushtarake në deklaratat e tij publike përpara bisedimeve. Në vend të kësaj, ai sugjeroi që ata të diskutojnë një rrugëdalje nga konflikti.

“Kjo na jep një mundësi për të menduar së bashku se si do ishte e mundur të dilnim nga kjo gjendje”, tha Putin.

Sulmet izraelite kanë synuar programin bërthamor të Iranit, shkencëtarët bërthamorë, raketat dhe figurat e larta ushtarake, me SHBA-në që u bashkua gjatë fundjavës duke përdorur avionët bombardues më të fuqishëm që mund të depërtojnë bunkerët. Ndërkohë, Irani nu ka marrë gjë tjetër veç mbështetjes retorike nga ndihmësit e saj më të fuqishë1m, përfshirë Rusinë dhe Kinën.

Partneriteti midis Moskës dhe Teheranit ka qenë një gjemb në këmbë për interesat perëndimore në Evropë dhe Lindjen e Mesme. Të dy bashkëpunuan për gati një dekadë në Siri për të mbajtur presidentin Bashar al-Assad në pushtet. Dhe pasi Moska dështoi në fazat fillestare të pushtimit të Ukrainës, Irani i dha forcë përpjekjeve të luftës së Rusisë me municione, predha artilerie dhe mijëra dronë.

Por Moska nuk ka gjasa ta kthejë nderin. Me Iranin që përballet me sfidën e tij më ekzistenciale në dekada dhe madje edhe me thirrjet e presidentit Trump për ndryshim regjimi, ndihma ushtarake ruse nuk ka gjasa të vijë, thanë analistët. Ndërsa partneriteti strategjik i arritur midis dy vendeve nuk përfshinte një pakt mbrojtjeje të ndërsjellë, ai forcoi ndarjen e inteligjencës dhe i ndaloi vendet të ndihmonin armiqtë e njëri-tjetrit në konflikte.

“Irani mund t’i kërkojë Rusisë ta mbështesë atë në goditjen hakmarrëse ndaj SHBA-së, por Moska nuk do e pranojë kurrë”, tha Nikolay Kozhanov, një ekspert për marrëdhëniet ruso-iraniane dhe profesor në Universitetin e Katarit.

Ky veprim nënvizon natyrën ndërkombëtare edhe të partneriteteve më të forta të Putinit, ndërsa Kremlini është i bllokuar në Ukrainë dhe është i prekshëm ndaj sanksioneve perëndimore. Putin dëshiron të shmangë një përshkallëzim të dhunës që mund të përfundojë keq për Iranin dhe Rusinë. Ai gjithashtu dëshiron të ruajë një marrëdhënie me Izraelin dhe lidhjet e tij me Trump, i cili është tërhequr nga sanksionimi i Rusisë pavarësisht rezistencës së Kremlinit ndaj angazhimit në bisedime thelbësore paqeje me Ukrainën.

Kjo nuk ka gjasa ta kënaqë Iranin, i cili është përballur me zhgënjim nga rusët më parë.

Muajin pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023, i cili vrau më shumë se 1,200 izraelitë, qeveria iraniane tha se nënshkroi një marrëveshje me Moskën për të furnizuar avionë luftarakë Sukhoi Su-35, helikopterë sulmi Mi-28, sisteme mbrojtjeje ajrore S-400 dhe avionë stërvitjeje Yak-130.

I vetmi furnizim që mori ishin avionë stërvitorë. Problemet e prodhimit dhe presioni diplomatik nga vendet e tjera të Gjirit e shtynë Rusinë të mbante teknologjinë sekrete dhe të fuqishme, tha Nicole Grajewski, një bashkëpunëtore në Carnegie Endoëment for International Peace dhe autore e një libri mbi Iranin dhe Rusinë.

Vitin e kaluar, sulmet izraelite shkatërruan disa nga sistemet më të mira të mbrojtjes ajrore të Iranit që ishin siguruar nga rusët. Në muajt që pasuan, Rusia ose nuk ishte në gjendje ose nuk ishte e gatshme t’i zëvendësonte ato. Të hënën, Araghchi i kërkoi Putinit sisteme të reja mbrojtjeje ajrore dhe ndihmë në rivendosjen e rrjetit të saj të energjisë bërthamore, sipas një personi të informuar mbi bisedimet.

Javën e kaluar, kur u pyet nga gazetarët se pse Rusia nuk po furnizonte armë për të ndihmuar Iranin në përballjen me sulmet e Izraelit, Putin tha se interesi i Iranit për pajisjet ruse ishte zbehur dhe se Irani nuk kishte bërë ndonjë kërkesë të re specifike.

“Nuk ka asgjë për të cilën të flasim vërtet,” tha ai.

Irani është partneri më i fundit rus që merr një reagim të ftohtë nga Moska në kohë nevoje. Armenia, e cila ka një traktat mbrojtjeje të ndërsjellë me Rusinë, nuk mori ndihmë nga Moska pasi forcat e saj në rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut të Azerbajxhanit u shkatërruan nga trupat e Bakusë në vitet 2020 dhe 2023. Zhgënjimi përshpejtoi zhvendosjen themelore të Armenisë nga aleanca me Moskën drejt partneritetit me SHBA-në.

Në mënyrë të ngjashme, kur Asadi i Sirisë u rrëzua vitin e kaluar, Putin thjesht ofroi azil ish-liderit të fortë dhe familjes së tij.

“Rusia nuk është aq mike e mirë e diktatorëve sa pretendon: Putini shpesh u kthen shpinën miqve të tij autokratë kur ata kanë nevojë për të”, tha Fabrice Pothier, një ish-këshilltar i lartë i udhëheqjes së Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut.

Në vend që të ndihmonte Iranin, Putini është përpjekur të pozicionohet si një ndërmjetës i mundshëm në konflikt. Trump e hodhi poshtë këtë mundësi javën e kaluar, duke thënë se Putini duhet të përqendrohet së pari në ndërmjetësimin e luftës në Ukrainë.

Lufta izraelito-iraniane mund të jetë në disa mënyra e dobishme për Moskën, duke ndihmuar në rritjen e çmimit të naftës dhe duke larguar vëmendjen nga pushtimi i Ukrainës, ndërsa Rusia pritet të nisë një ofensivë verore.

Në fakt, Irani mund të dalë nga konflikti më i izoluar dhe i varur nga Rusia dhe Kina, të cilat mund ta përdorin këtë në avantazhin e tyre.

“Një ankesë e zakonshme në Iran është se Kina dhe Rusia, në vend që të jenë miq të vërtetë, shfrytëzojnë izolimin e Iranit për të marrë burime natyrore të lira, ndërsa i shesin Iranit pajisje ushtarake të dorës së dytë me çmime të fryra, ndonjëherë duke mos i dorëzuar kurrë pajisjet e premtuara”, tha Tino Sanandaji, një studiues suedezo-iranian në Shkollën e Ekonomisë të Stokholmit.

Të tjerë paralajmëruan se besueshmëria e Rusisë si aleate mund të jetë në rrezik.

“Fakti është se Rusia nuk mundi të parandalonte sulmin masiv të Izraelit ndaj një vendi me të cilin pesë muaj më parë Rusia kishte nënshkruar një marrëveshje partneriteti strategjik”, shkroi politologu Andrey Kortunov.

“Moska nuk është qartësisht e përgatitur të shkojë përtej deklaratave politike.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e WSJ

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani