Vendosni fjalën kyçe....

Irani: Përdorëm për herë të parë një raketë të re të padukshme në sulmin ndaj qendrës së Mossadit


Ministria iraniane e Mbrojtjes ka deklaruar se në një sulm të fundit kundër një objekti të inteligjencës izraelite, ka përdorur për herë të parë një raketë të re që, sipas tyre, është e padetektueshme dhe e pa kapshme nga sistemet mbrojtëse ajrore, sipas IRNA.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Gjeneral Brigade Reza Talaei-Nik, tha të martën se: “Në sulmin e sotëm, përdorëm raketa që nuk mund të gjurmoheshin apo të përceptoheshin.”

Ai e cilësoi sulmin si një “befasi për armikun” dhe paralajmëroi se “ata do të përballen me të tjera goditje.”

Sipas tij, objektivi u godit me saktësi të lartë, pavarësisht “shtresave të dendura të mbrojtjes ajrore” që rrethonin qendrën izraelite, mbështetur edhe nga SHBA.

Talaei-Nik deklaroi se kjo goditje tregoi dobësitë e Izraelit në një sistem të konsideruar prej kohësh si një nga aparatet më të sofistikuara të inteligjencës dhe sigurisë në rajon: “Pavarësisht mburrjeve për epërsi në fushën e inteligjencës, një qendër kyçe izraelite u godit drejtpërdrejt.”

Duke folur për perspektivën e konfliktit, ai shtoi se Izraeli nuk është i përgatitur për një luftë të zgjatur: “Bazuar në 75 vite përvojë, faktorë ushtarakë dhe jo ushtarakë, dhe konsiderata të tjera strategjike, regjimi sionist nuk mund ta përballojë një luftë të gjatë,” tha ai.

Ai gjithashtu theksoi se forcat e armatosura iraniane janë pajisur në mënyrë paraprake me armë të avancuara në rast përshkallëzimi të konfliktit: “Shumë prej sistemeve tona të avancuara ende nuk janë vendosur në fushë,” paralajmëroi Talaei-Nik.