
Stafi jo thelbësor i ambasadës amerikane në Bagdad dhe familjarët e tyre po evakuohen nga Iraku për shkak të rritjes së rreziqeve të sigurisë, njoftuan të mërkurën burime të qeverisë amerikane.
Zyrtarët nuk dhanë detaje konkrete mbi shkakun e vendimit, por bisedimet mbi programin bërthamor të Iranit duket se janë bllokuar ditët e fundit.
“Ne vlerësojmë vazhdimisht përbërjen më të përshtatshme të personelit në të gjitha ambasadat tona,” deklaroi një zyrtar i Departamentit të Shtetit për BBC-në
“Bazuar në analizat tona më të fundit, kemi vendosur të reduktojmë praninë tonë në misionin në Irak.”
Presidenti Donald Trump deklaroi në një podcast të mërkurën se po bëhet gjithnjë e më pak optimist për mundësinë e një marrëveshjeje mbi programin bërthamor të Iranit.
SHBA kërkon që Irani të ndalojë pasurimin e uraniumit – i cili mund të përdoret për ndërtimin e një bombe bërthamore – në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike.
Ministri iranian i Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh, paralajmëroi se vendi i tij do të kundërpërgjigjet ndaj bazave amerikane në rajon nëse bisedimet dështojnë dhe presidenti amerikan urdhëron sulme ushtarake ndaj Iranit.
Agjencia Reuters raportoi se Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka miratuar gjithashtu largimin vullnetar të familjarëve të personelit ushtarak amerikan nga disa vende të Lindjes së Mesme, përfshirë Kuvajtin dhe Bahreinin.
Po të mërkurën, Organizata Britanike për Operacionet Detare njoftoi se tensionet ushtarake në rritje në Lindjen e Mesme mund të ndikojnë edhe në sigurinë e lundrimit detar.
Çmimi i naftës u rrit fillimisht me mbi 4% pas lajmeve, si pasojë e shqetësimeve se paqëndrueshmëria rajonale mund të ndikojë në furnizimin global.
Aktualisht, rreth 2.500 trupa amerikane ndodhen të dislokuara në Irak, sipas Departamentit të Mbrojtjes të SHBA.