Vendosni fjalën kyçe....

Operacion mes Italisë dhe Shqipërisë, 52 urdhër-arreste për trafik droge dhe pastrim parash


Që në orët e para të mëngjesit po zhvillohet një operacion i përbashkët mes autoriteteve italiane dhe shqiptare kundër një rrjeti të madh ndërkombëtar të trafikut të drogës, pastrimit të parave dhe shpërdorimit të detyrës. Operacioni, i koduar “Ura”, është udhëhequr nga Drejtoria Hetimore Antimafia e Barit dhe SPAK-u në Tiranë, me mbështetjen e Interpolit, Eurojust-it, Policisë Shqiptare dhe BKH-së.

Janë lëshuar 52 urdhër-arreste ndaj personave të dyshuar për përfshirje në aktivitete kriminale, përfshirë trafik ndërkombëtar të kokainës dhe heroinës, pastrim parash dhe abuzim me detyrën. Ndër të ndaluarit raportohet se ka avokatë, biznesmenë, zyrtarë dhe persona me precedentë kriminalë.

Po ashtu janë urdhëruar sekuestrime pasurish në Shqipëri dhe Itali, përfshirë prona të luajtshme dhe të paluajtshme me vlerë disa miliona euro. Ky operacion është pjesë e një hetimi më të gjerë të nisur nga DDA e Barit dhe SPAK për goditjen e organizatave kriminale shqiptare që kontrollojnë rrjetet e trafikut të drogës nga Ballkani drejt Europës Veriore përmes Italisë.

Në orën 10:30 në një konferencë të përbashkët për shtyp mbi detajet e këtij operacioni do të jetë kreu i SPAK Altin Dumani e Kryeprokurori i Barit Roberto Rossi, Drejtori i Antimafias italiane Gjeneral Michele Carbone e përfaqësuesi për Eurojust për Italinë Gianluca Forlani.