Vendosni fjalën kyçe....

Hamas: Bisedimet e reja për armëpushim në Gaza kanë nisur


Hamas njoftoi se ka nisur një raund të ri negociatash për t’i dhënë fund luftës në Gaza, vetëm pak orë pasi Izraeli filloi një ofensivë të madhe ushtarake në territorin palestinez, përcjell BBC.

Zyrtari i Hamasit, Taher al-Nounou, këshilltar i liderit të grupit, deklaroi për BBC-në se negociatat kanë nisur zyrtarisht të shtunën në Doha. Sipas tij, nuk ka parakushte nga asnjëra palë dhe të gjitha çështjet janë të hapura për diskutim.

Ndërkohë, ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, konfirmoi se përfaqësuesit e Hamasit janë kthyer në bisedimet e ndërmjetësuara në Katar për të diskutuar për një marrëveshje mbi pengjet. Ai e cilësoi këtë si “një largim nga qëndrimi kokëfortë që kishin mbajtur deri tani”.

Kjo lëvizje ndodhi pas njoftimit të ushtrisë izraelite se ka nisur operacionin e koduar “Qerret e Gideonit”, për të marrë nën kontroll “zona strategjike” në Gaza dhe për të shpëtuar pengjet. Sipas njoftimeve zyrtare, Izraeli ka goditur mbi 150 objektiva që i konsideron terroristë brenda 24 orëve të fundit dhe nuk do të ndalojë deri sa “Hamas të mos përbëjë më kërcënim” dhe “të gjithë pengjet të kthehen në shtëpi”.

Ofensiva synon marrjen dhe kontrollin e territorit, zhvendosjen e civilëve drejt jugut të Rripit të Gazës, asgjësimin e Hamasit dhe ndalimin e kontrollit të ndihmave nga ana e grupit.

Mijëra trupa izraelite, përfshirë rezervistë, pritet të hyjnë në Gaza në ditët në vijim, ndërsa ofensiva intensifikohet.

Izraeli ka vendosur një bllokadë të ndihmave për Gazën që nga marsi, pas prishjes së një armëpushimi dy mujor. Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të premten se “shumë njerëz po vdesin nga uria” në Gaza.

Sipas shërbimeve të emergjencës të drejtuara nga Hamas, rreth 250 persona janë vrarë nga sulmet izraelite që nga e enjtja. Agjencia Reuters, duke cituar autoritetet shëndetësore lokale, raportoi se të paktën 146 palestinezë u vranë në 24 orët e fundit dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.

Banorët në shumë pjesë të Gazës veriore dhe qëndrore janë urdhëruar të largohen nga shtëpitë ose strehimet e tyre, por organizatat humanitare thonë se kjo është thuajse e pamundur, pasi shumë prej tyre janë zhvendosur disa herë që nga fillimi i luftës.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi më herët se Izraeli po përgatitet për një “hyrje intensive” në Gaza për të marrë dhe mbajtur kontrollin e territorit. Qeveria izraelite kishte bërë të ditur se operacioni nuk do të niste përpara përfundimit të turneut të presidentit Trump në Lindjen e Mesme. Presidenti amerikan u largua nga rajoni të premten.

Nga ana tjetër, Komisioneri i Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, Volker Türk, paralajmëroi se përshkallëzimi i fundit nga Izraeli mund të përbëjë shkelje të së drejtës ndërkombëtare. “Këto bombardime masive, zhvendosja e njerëzve nën kërcënimin e sulmeve, shkatërrimi sistematik i lagjeve të tëra dhe ndalimi i ndihmave humanitare po shkojnë drejt një ndryshimi të qëndrueshëm demografik që bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe mund të konsiderohet spastrimi etnik,” tha Türk.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se SHBA është “e shqetësuar” për zhvillimet e fundit.

Mjekja britanike Victoria Rose, kirurge në spitalin Nasser në Khan Younis, tha për BBC se ekipi i saj është “i rraskapitur” dhe shumë anëtarë të stafit kanë humbur ndjeshëm në peshë. “Fëmijët janë shumë të dobët, shumë prej tyre u kanë rënë dhëmbët, shumë të tjerë kanë djegie të rënda që për shkak të kequshqyerjes infektohen më lehtë dhe shërohen më ngadalë,” tha ajo.

Një vlerësim i mbështetur nga OKB, i publikuar të hënën, e vendos popullsinë e Gazës në “rrezik kritik” nga uria masive.

Izraeli ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur akuzat për mungesë ushqimi në Gaza.

Fushata ushtarake e Izraelit nisi në përgjigje të sulmit të përgjakshëm të Hamasit më 7 tetor 2023, kur u vranë rreth 1,200 persona dhe 251 të tjerë u morën peng. Hamas mban ende 58 pengje.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së kontrolluar nga Hamas në Gaza, mbi 53,000 persona janë vrarë që nga fillimi i luftës.