
Në Tiranë është zhvilluar panairi i artizanëve “Zan’Art”, ku dhjetëra artizanë nga e gjithë Shqipëria prezantuan produkte që përfaqësojnë kulturën, identitetin dhe traditën shqiptare. Aktiviteti synon të krijojë ura komunikimi mes brezave dhe të forcojë rolin e artizanatit në ekonominë krijuese të vendit.
Gjatë hapjes së panairit, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, theksoi rëndësinë e certifikimit të artizanëve dhe nevojën për të krijuar më shumë hapësira pranë siteve kulturore për veprimtarinë e tyre.
“Artizanët shqiptarë janë dëshmi e gjallë e shpirtit krijues dhe trashëgimisë sonë. Artizanati është një prioritet strategjik për ministrinë,” deklaroi Gonxhja, duke shtuar se përmes Fondit të Artizanëve janë mbështetur këtë vit 47 projekte me një buxhet prej 30 milionë lekësh. Projektet përfshijnë punime në dru, metal, gur, tekstile tradicionale, kulinari dhe qendistari, me fokus të veçantë edhe te përcjellja e mjeshtërisë te brezat e rinj.
Etnografja Afërdita Onuzi solli në vëmendje balancën mes ruajtjes së trashëgimisë dhe nevojës për përshtatje në një treg gjithnjë e më konkurues, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së identitetit kulturor në kohë ndryshimesh.