Vendosni fjalën kyçe....

Sali Berisha: Në sesionin e ri parlamentar Luçiano Boçi është de facto dhe de jure kreu i Grupit Parlamentar të PD-së


Në konferencën e sotme për mediet, Sali Berisha theksoi se kreu i grupit parlamentar të PD-së në sesionin e ri parlamentar do të jetë Luçiano Boçi.

“Luçiano Boçi është i emëruar nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike në atë funksion, dhe ai funksion do të kryhet nga Luçiano Boçi. Natyrisht zhvillohen diskutime me të gjithë deputetët, është proces i hapur për debate dhe diskutime. Por Luçiano Boçi është de fakto dhe de jure kreu i grupit parlamentar.”– theksoi Berisha.

 Ai shtoi se “Edi Rama bën gjithçka kundër opozitës, por bën gjithçka pa sukses. Kështu që treni ynë nuk do të ndalet, këtë fiksojeni. Treni ynë nuk ndalet.”

Berisha u pyet nga gazetarët nëse të gjithë si demokratë do të dalin me një kandidat të vetëm në zgjedhjet e ardhshme. Ai tha se të gjithë kandidatët do t’i nënshtrohen primareve përpara.

Por ai u përgjigj: “Ne kemi të përcaktuar praktikën demokratik të primareve. Pas vendosjes së pluralizmit në Shqipëri, primaret janë akti i dytë më madhor për demokracinë shqiptare. Cilido anëtar, simpatizant, drejtues apo i thjeshtë i PD që dëshiron t’i nënshtrohet primareve, pavarësisht qëndrimeve të tij, është i mirëpritur.

Ka vetëm një kërkesë, të plotësojë ato kushte që janë për të gjithë të barabarta dhe kushti për të hyrë në primare.

Në mënyrë kategorike, çdo kandidat do të ketë të gjitha kushtet e barabarta me çdo kandidat tjetër, pavarësisht qëndrimeve që ka pasur. Nuk besoj se kjo është një pengesë.”

Në skenarin e përballjes me kryeministrin Edi Rama, Berisha theksoi se skenari i vetëm është protesta dhe në rast nevoje do të ketë dhe mosbindje civile.

“Skenari është protestë dhe në rast nevoje mosbindje civile. Ne e kemi shpallur Ramën një armik të lirisë së shqiptarëve. Dhe nuk lëvizim nga ky pozicion sepse Rama u ka grabitur votën shqiptarëve dhe mbi këtë grabitje të votës ka rrëmbyer njëri pas tjetrit të gjitha pushtetet, atë gjyqësor, parlamentar, legjislativ, ekzekutiv dhe institucionet kushtetuese.

Kjo është e vërteta dhe prandaj edhe ai nuk mund të pranohet. Ne jemi në kushtet e një monizmi të plotë nga i cili do të dalim pavarësisht nga çmimi.”- tha Berisha.