Vendosni fjalën kyçe....

Komisioneri Publik ankimon vendimin e KPK-së për anëtarin e KLP-së, Besnik Cani


Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e KPK-së, për prokurorin, Besnik Cani. 

Cani u konfirmua në detyrë nga KPK më 27 nëntor të 2018-ës dhe është aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Ai njihet si person i afërt me Kryeprokuroren e përkohshme, Arta Marku, pasi ka qenë këshilltar i saj.

Njoftimi i Komisionerit Publik

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 84, datë 27.11.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besnik Cani, magjistrat/prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe mori në konsideratë rekomandimin e paraqitur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për të paraqitur ankim, vlerëson se, bazuar në provat dhe faktet e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit, z. Besnik Cani, nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë.

Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë publike dhe, në përfundim të gjykimit, të ndryshojë vendimin nr. 84, datë 27.11.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Besnik Cani.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16 të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: www.ikp.al

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *