Vendosni fjalën kyçe....

Vasili: S’ka zgjedhje me Ramën kryeministër, protesta e 16 shkurtit u përket qytetarëve


Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Vasili, tha se korrupsioni i frikshëm e imponon daljen e njerëzve në protestën e thirrur nga opozita më 16 shkurt.

Ai theksoi se mediat në vend nuk i kishin raportuar skandalet e shumta të qeverisë Rama por për fat të mirë ato ishin publikuar në mediat ndërkombëtare.

“Përpara se të shkojmë të 16 shkurti, duhet të themi se çfarë e imponon 16 shkurtin. 16 shkurtin e imponon një korrupsion i frikshëm, ku simbolika dhe metafora është e qartë, por edhe në planin juridik, praktik dhe ligjor, ndodh të Unaza e Re, ku kemi një dëshmi të korrupsionit të ulur këmbë e kryq atje.

Për fat të keq shumicën e lajmeve në lidhje me korrupsionin nuk i marrim më nga mediat shqiptare, por nga mediat ndërkombëtare dhe kjo vërtetë është një dëshpërim i madh, pasi lajmet për Unazën e Re, një pjesë nga mediat ndërkombëtare dhe një pjesë e kufizuar nga mediat shqiptare, që pati guximin të japi disa fakte.

Sigurisht do të vijnë edhe për ato ngjarje që kanë të bëjnë me zgjedhjet e 2017, ku kolegë të Zërit të Amerikës që duhet t’u jemi mirënjohës që bënë një punë të jashtëzakonshme, duke bërë publike fakte shumë tronditëse. Shitblerja e votës përveçse u certifikua nga vendet e Europës, nga të gjithë institucionet, u certifikua tashmë edhe me fakte nga Prokuroria shqiptare.” – tha Vasili.

Më tej ai shtoi se protesta e 16 shkurtit nuk është pronë e opozitës që e ka thirrur atë por është e qytetarëve që do marrin pjesë në numër të madh, të cilët po i vuajnë edhe më shumë pasojat e keqqeverisjes së Ramës.

“Opozita është ajo që organizon këtë protestë të madhe, por protesta nuk është pronë e opozitës. Opozita është inspiruese politike e këtij procesi dhe qytetarët që marrin pjesë atje janë të shumtë, qytetarë të zakonshëm, qytetarë që mbështesin partitë politike që janë pjesë e spektrit politikë opozitarë por dhe mjaft njerëz nga shoqëria civile, ka qytetarë që nuk janë fare të aderuar në një parti pra protesta ka një sens shumë të gjerë mbarëpopullor.

Pasi të prekurit, të dëmtuarit, ata që vuajnë në mënyrë të përditshme nuk janë thjesht dhe vetëm ata që udhëheqin politikën, ata që janë më pranë partive politike por ka një pakënaqësi popullore , e cila sigurisht i bën të gjithë që të kenë diçka për të thënë.” – shtoi Vasili.

Ai tha gjithashtu se opozita ka një program të qartë për qeverisjen ndërsa theksoi se opozita nuk do futej në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër.

“Edi Rama nuk mund të qeverisi kurrë më zgjedhje në Shqipëri dhe kjo bindje nuk vetëm bindja ime, është bindja juaj metaforikisht, pra e opinionit shqiptar pasi kanë dëgjuar qartësisht jo nga ne por nga një burim tërësisht objektiv që vjen nga SHBA, për fat të keq dhe media e DASH u quajt kazan. Që provoi ashiqare sesi vota e shqiptarëve është shitur, është blerë nga kriminelët në tavolinë.

Inspiruesi në krye të gjithë kësaj kupole, ai që shtrëngon fort dhe Kryetarin e Bashkisë së Durrësit që e mori vesh gjithë Shqipëria se çfarë bënte dhe aradhe të tjerë personash, ministrash e deputetesh që janë sot në qeveri, të cilët ishin pjesë e një mekanizmi kriminal. Kurrën e kurrës nuk mund të pranojë dot më asnjë shqiptar që ky hajdut zgjedhjesh të qeverisë zgjedhjet. Nuk mund të prodhohen ekuilibra politikë me një kryehajdut zgjedhjesh.” – mbylli Vasili.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *