
Kryeministri Rama u është përgjigjur kritikave të opozitës lidhur me mosreagimin e tij për deklaratat e ministres serbe Paunoviç se “nëse do ishte në vend të Millosheviçit do spastronte etnikisht Kosovën”.
Kreu i qeverisë shkruan qeveria ka reasguar përmes ministrit të Jashtëm Hoxha për çështjen në fjalë siç bën një shtet që ka respekt për veten dhe se ai nuk mund të bëhet histerik poër çdo çyryk nga Beogradi.
“Ideja se çdo njeri që ka një zë publik, çdo institucion dhe autoritet, u dashka të reagojë për çdo idiotësi të thënë në serbisht, deri edhe nga personazhe që sa pa e thënë idiotësinë vetëm familja e tyre e dinte se ekzistonin, është një ide që tregon se sa pak e respektojnë veten dhe vendin ata që vënë kujën e që kërkojnë edhe hesap pse nuk reagon ky e ai!
Ne kemi reaguar përmes ministrit të jashtëm, siç bën një shtet që ka respekt për veten dhe kush kërkon nga ne që të bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd e flet përçart, ka ngatërruar adresë.
Mjafton të shikosh reaguesit e rastit nga Tirana, se si gjejnë një kalë të ngordhur për të marrë poza luftëtarësh në front dhe e kupton menjëherë pse kategoria e tyre meriton vetëm keqardhjen e radhës, ndërkohë që po deshe të mbash ijet me dorë duhet edhe të gjesh kohë t’i lexosh.” – shkruan Rama në X.
