
Nga Erisa Kryeziu
Konventa e Bernës ka shprehur shqetësim për zhvillimet në Vjosë–Nartë dhe ka kërkuar nga autoritetet shqiptare informacion mbi projektet turistike, lejet e dhëna dhe ndikimin e tyre në këtë ekosistem të rëndësishëm.
Ky reagim vjen pas informimit të Byrosë së Konventës nga organizatat mjedisore EcoAlbania dhe PPNEA, të cilat paralajmëruan se Delta e Vjosës po përballet me një valë të paprecedentë presioni zhvillimor. Sipas organizatave, një sërë projektesh strategjike të planifikuara brenda peizazhit të mbrojtur rrezikojnë të transformojnë në mënyrë të pakthyeshme një nga ekosistemet deltore më të paprekura të Mesdheut.
Në mbledhjen e dytë të zakonshme të vitit 2026, të zhvilluar më 17–18 qershor, Byroja e Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës shqyrtoi zhvillimet e fundit në zonën kandidate për statusin Emerald Vjosë–Nartë. Kjo zonë është pjesë e ankesës nr. 2016/05 për ndikimin e supozuar negativ të projekteve mbi lumin Vjosa, përfshirë hidrocentralet dhe Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
Në letrën drejtuar Ministrisë së Mjedisit, Konventa e Bernës mirëpret pezullimin e punimeve në zonën ku janë planifikuar zhvillime turistike, si edhe angazhimin e autoriteteve shqiptare për kryerjen e një Vlerësimi të Ndikimit në Mjedis (VNM). Megjithatë, ajo shpreh keqardhje se Shqipëria nuk ka paraqitur ende informacion të plotë mbi zonën Vjosë–Nartë dhe nuk ka dorëzuar një formular të përditësuar të të dhënave standarde për zonat Emerald.
Byroja kërkon që gjatë procesit të VNM-së të merret parasysh jo vetëm ndikimi i një projekti të veçantë, por edhe efekti kumulativ i të gjitha ndërhyrjeve, duke përfshirë Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës dhe projektet e reja turistike.
Konventa e Bernës rikujton se zonat kandidate Emerald, edhe pse nuk kanë të njëjtin status ligjor si zonat Natura 2000 në Bashkimin Evropian, mbrohen nga një kuadër ligjor ndërkombëtar që kërkon vlerësim të plotë të çdo aktiviteti që mund të ketë ndikim të rëndësishëm mbi habitatet dhe speciet.
Përveç Vjosë–Nartës, Byroja ka ngritur shqetësimin se qasja e ndjekur në këtë rast mund të krijojë rreziqe edhe për zona të tjera kandidate Emerald në Shqipëri. Ajo i ka kërkuar qeverisë shqiptare që, përpara mbledhjes së shtatorit, të paraqesë informacion të detajuar mbi lejet e dhëna për projektet, procedurat administrative të ndjekura, hartën e zonave të mbrojtura dhe mbivendosjen e tyre me zonat Emerald, si edhe vendndodhjen e saktë të projekteve të propozuara.
Sipas Olsi Nikës nga EcoAlbania, Shqipëria nuk duhet të vazhdojë të sillet sikur detyrimet ndërkombëtare janë çështje zgjedhjeje.
, u shpreh Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i EcoAlbania.
Aeroporti i Vlorës mbetet në qendër të shqyrtimit
Në të njëjtën letër, Konventa e Bernës rikthen vëmendjen te vendimi i marrë nga Komiteti i Përhershëm në dhjetor 2025 për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.
Sipas Konventës, rekomandimi nr. 219 (2023), që kërkonte pezullimin e punimeve për aeroportin deri në kryerjen e një VNM-je të re dhe të plotë, nuk është zbatuar.
“Komiteti shprehu keqardhje të fortë që pika 1 e Rekomandimit nr. 219 (2023), që kërkonte pezullimin e ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, nuk është zbatuar dhe vuri në dukje me shqetësim se një VNM e re nuk është paraqitur deri më sot”, thuhet në dokument.
Konventa kërkon që çdo masë zbutëse, restauruese apo kompensuese, si edhe çdo operim i mundshëm i aeroportit, të bazohet në një vlerësim gjithëpërfshirës dhe ligjërisht të vlefshëm të ndikimit në mjedis.
Ndërkohë, dosja e ankesës nr. 2016/05 mbetet e hapur dhe autoritetet shqiptare duhet të dorëzojnë një raport progresi deri më 15 gusht 2026.
Konventa e Bernës kërkon që raporti të përfshijë të gjitha informacionet e kërkuara nga vendimet e saj dhe të pasqyrojë hapat e ndërmarrë nga Shqipëria për të garantuar mbrojtjen e habitateve dhe specieve në zonën Vjosë–Nartë.
Vendimi i fundit vjen në një kohë kur në Shqipëri protestohet prej 47 ditësh, me në qendër zhvillimet turistike në zonat e mbrojtura. Ndërkohë, organizatat mjedisore kanë paralajmëruar vazhdimisht për rrezikun që projektet e mëdha infrastrukturore dhe turistike mund t’u sjellin ekosistemeve të brishta të bregdetit shqiptar.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Citizens.al