Vendosni fjalën kyçe....

Irani urdhëron Huthët të mbyllin ngushticën Bab el-Mandeb nëse SHBA godet rrjetin energjetik


Irani i ka kërkuar lëvizjes Huthi në Jemen të jetë gati për të mbyllur ngushticën Bab el-Mandeb, hyrjen strategjike drejt Detit të Kuq, nëse Shtetet e Bashkuara ndërmarrin sulme ndaj infrastrukturës energjetike iraniane.

Lajmi bëhet i ditur nga Reuters, duke cituar tre burime të njohura me çështjen.

Sipas burimeve, ideja është diskutuar në nivelet më të larta të udhëheqjes iraniane dhe mesazhi u është përcjellë aleatëve Huthi, të cilët po presin sinjalin për të nisur sulmet ndaj anijeve tregtare.

Një burim pranë Huthëve tha se grupi ka përfunduar përgatitjet ushtarake, duke vendosur raketa dhe dronë pranë ngushticës Bab el-Mandeb, në zonat malore të Jemenit me pamje nga Hodeidah dhe Gjiri i Adenit.

Sipas të njëjtit burim, vendimi për mbylljen e kalimit detar do të merret nga përfaqësuesit e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), të cilët ndodhen në Jemen.

Nëse kërcënimi realizohet, ai do të përkeqësonte ndjeshëm krizën globale të energjisë. Me Ngushticën e Hormuzit tashmë të mbyllur nga Irani, sulmet ndaj anijeve ose porteve në Detin e Kuq do të bllokonin njëkohësisht dy rrugët kryesore të eksportit të naftës nga Lindja e Mesme.

Ndërkohë, tensionet në rajon janë rritur edhe më tej pasi Huthët lëshuan raketa ndaj Arabisë Saudite, duke e akuzuar atë për bombardimin e një aeroporti nën kontrollin e tyre, çka shënoi fundin e armëpushimit katërvjeçar mes palëve.

Dy burime rajonale pranë Riadit thanë se Arabia Saudite i merr shumë seriozisht kërcënimet e Iranit dhe Huthëve, duke shtuar se autoritetet saudite janë të vetëdijshme për koordinimin e ngushtë mes grupit jemenas dhe Teheranit në lidhje me Detin e Kuq.

Sipas analistit të Verisk Maplecroft, Torbjorn Solvedt, përshkallëzimi i konfliktit në Detin e Kuq rrezikon të godasë të vetmen rrugë alternative të rëndësishme për eksportet e naftës nga rajoni, në një kohë kur Ngushtica e Hormuzit mbetet e bllokuar.