
Protesta për largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama vijoi edhe këtë mbrëmje në Tiranë, duke shënuar ditën e 38-të radhazi të tubimeve.
Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, nga ku, sipas skenarit të zakonshëm të ditëve të fundit, nisën marshimin drejt godinës së Kryeministrisë. Edhe këtë herë, pjesëmarrësit pritet të përsërisin kërkesat për largimin e qeverisë dhe zhvillimin e ndryshimeve politike.
Gjatë protestës, një arsimtar dha një deklaratë për News24, ku pretendoi se ishte larguar nga detyra e nëndrejtorit të një shkolle për arsye politike. Sipas tij, largimi erdhi pasi refuzoi të siguronte mbështetje elektorale nga diaspora në favor të Partisë Socialiste.
Ai pretendoi se i ishte kërkuar të gjente pesë persona me të drejtë vote jashtë vendit që të mbështesnin Partinë Socialiste, ndërsa shtoi se edhe vajza e tij, e cila jeton në Angli, kishte marrë mesazhe për t’u përfshirë në fushatë, megjithëse, sipas tij, numri i saj nuk ishte shpërndarë prej familjes.
Në fjalën e tij, arsimtari drejtoi akuza të forta ndaj qeverisë, duke e cilësuar atë si një “organizatë kriminale” dhe duke pretenduar se administrata publike përdoret për qëllime politike.