Gjykata e Apelit në Paris ka lënë në fuqi shpalljen fajtore të lideres së së djathtës franceze, Marine Le Pen, për shpërdorimin e fondeve të Parlamentit Europian, por ka zbutur dënimin duke i hapur rrugën kandidimit në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.
Sipas vendimit, ndalimi pesëvjeçar për të mbajtur funksione publike është reduktuar dhe është llogaritur me efekt prapaveprues nga marsi i vitit 2025, çka do të thotë se konsiderohet tashmë i përfunduar.
Megjithatë, Le Pen është dënuar me një vit arrest shtëpie me byzylyk elektronik, një masë që ligjërisht nuk e pengon të kandidojë për presidente. Vetë ajo ka deklaruar më herët se nuk dëshiron të zhvillojë fushatë elektorale duke mbajtur një pajisje të tillë, pasi, sipas saj, nuk do të ishte “plotësisht e lirë” për të lëvizur dhe takuar qytetarët.
“Kur je kandidate për presidente duhet të kesh liri të plotë lëvizjeje. Nuk mund të varem nga një gjyqtar për të më lejuar të zhvilloj një takim elektoral apo të shkoj në një treg,” është shprehur më herët Le Pen.
Gjykata sqaroi se, gjatë shqyrtimit të çështjes, kishte marrë në konsideratë të drejtën e kandidimit dhe lirinë e zgjedhjes së votuesve, duke vlerësuar se masa e dhënë ishte proporcionale dhe nuk cenonte procesin demokratik.
Sipas vendimit, Le Pen u shpall fajtore për përvetësimin e fondeve të destinuara për eurodeputetët gjatë periudhës 2004–2016, të cilat, sipas gjykatës, u përdorën për të paguar stafin e partisë së saj, Tubimi Kombëtar (RN).
Dënimi përfshin tre vite burg, ku dy vite janë të pezulluara, ndërsa një vit do të vuhet me byzylyk elektronik. Krahasuar me vendimin e shkallës së parë, masa është lehtësuar, pasi fillimisht ajo duhej të mbante pajisjen elektronike për dy vite.
Marine Le Pen pritet të sqarojë mbrëmjen e sotme në një intervistë televizive nëse do të kandidojë vetë për zgjedhjet presidenciale të prillit 2027 apo do t’ia lërë kandidaturën presidentit të Tubimit Kombëtar, Jordan Bardella, 30 vjeç.
Aktualisht, Le Pen kryeson sondazhet për zgjedhjet presidenciale, ndërsa presidenti Emmanuel Macron nuk mund të kandidojë për një mandat tjetër.
