Vendosni fjalën kyçe....

Protesta e 37-të kundër qeverisë, organizatorët thirrje për pjesëmarrje: Tubimi nis në orën 19:00 në sheshin “Skënderbej”



Organizatorët e protestave kundër qeverisë kanë njoftuar se këtë të diel, në orën 19:00, do të zhvillohet protesta e 37-të në Tiranë, duke u bërë thirrje qytetarëve nga i gjithë vendi dhe diasporës t’i bashkohen tubimit.

Sipas njoftimit të organizatorëve, grumbullimi i protestuesve do të nisë në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas marshimi do të vijojë drejt godinës së Kryeministrisë.

Organizatorët deklarojnë se kërkesa kryesore e protestës mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Ata theksojnë se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke ftuar qytetarët për pjesëmarrje masive.

Në mesazhin e shpërndarë përpara protestës, organizatorët përdorin sloganin “Ju erdhi fundi”, duke e paraqitur tubimin si vazhdim të aksionit të tyre kundër qeverisë.